Një supergol që i hapi rrugën fitores së Flamurtarit dhe, më pas, një përqafim me trajnerin Gentjan Mezani. Franc Veliu po rikthehet në ditët e tij më të mira me fanellën kuqezi. Mbrojtësi, që ka mbajtur për shumë vite shiritin e kapitenit të vlonjatëve, ka rrëfyer për “Panorama Sport” parandjenjën që kishte e fejuara e tij, Eriselda.
Në një intervistë për gazetën, Veliu tregon momentin e mirë që po kalon dhe rëndësinë që kishte për të dhe ekipin goli ndaj Luftëtarit. Pas një periudhë larg Vlorës dhe aktivizim te Kukësi e Partizani, 28-vjeçari kërkon që tashmë të japë gjithçka për ekipin e zemrës.
Franc, kishit që prej tetorit të vitit 2013 që nuk shënonit në Kategorinë Superiore. Çfarë do të thotë ky gol për ju?
Natyrisht që jam shumë i lumtur që kam shënuar pas një kohe të gjatë në kampionat, por ky gol nuk ishte edhe shumë rastësi.

Çfarë doni të thoni me këtë?
E fejuara ime kishte tri ditë që po e parandiente. Ajo më thoshte se do të shënoja dhe ia ndodhi pikërisht në një ndeshje shumë të rëndësishme për ne kundër Luftëtarit. Me këtë rast, golin do të doja që t’ia dedikoja Eriseldës, e cila ishte e bindur se do të shënoja.
Duket se tashmë keni rigjetur qetësinë me skuadrën e vendlindjes…
Si unë, ashtu edhe Flamurtari jemi të lidhur pazgjidhshmërisht. Unë premtoj vetëm maksimumin, atë që kam bërë gjithmonë, pasi ky ekip është shtëpia, zemra dhe shpirti im. Është gjithçka për mua.
Të kalojmë te ndeshja. Pavarësisht se shënuat dy gola në pjesën e parë, vuajtët jo pak ndaj Luftëtarit…
Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne ajo me Luftëtarin. E vlerësoj maksimalisht skuadrën gjirokastrite për atë çka dha në fushën e lojës, por e rëndësishme ishte që në fund fituam ne. Ky ishte një trepikësh me shumë vlera për ne. Pak rëndësi ka fakti që unë shënova në aspektin personal, pasi ai gol i shërben skuadrës. Të them të drejtën, e kishim të vështirë, pasi kishim shumë mungesa.

Në fundjavë luani me Vllazninë në Shkodër. Si e vlerësoni këtë ndeshje?
Ndeshja me Vllazninë është shumë delikate. Nuk duhet që të neglizhojmë aspak, pasi na duhet vazhdimësia, çka do të thotë se duhet të marrim fitoren e radhës. Nuk duhet të mendojmë asnjë rezultat tjetër, përveç tri pikëve. Unë mendoj se me rikthimin e lojtarëve që kanë munguar, do të jemi edhe më të fortë në Shkodër.
Cilat janë objektivat e Flamurtarit këtë sezon?
Natyrisht që objektivat tanë janë të qartë dhe të prerë. Duhet që në çdo ndeshje të japim maksimumin tonë dhe të fitojmë. Ne jemi në lojë dhe asgjë nuk ka përfunduar sa i përket Kupës së Shqipërisë. Kemi në përbërje lojtarë shumë cilësorë dhe jam i bindur se do të arrijmë këtë objektiv, duke përmbysur rezultatin në ndeshjen e kthimit në Lezhë.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë klubi ruajti grupin në janar, duke bërë pak lëvizje…
Kjo është diçka shumë pozitive. Ne kemi lojtarë shumë cilësorë dhe që bëjnë diferencën, kështu që drejtuesit e klubit bënë gjënë më të mirë. Edhe afrimet i vlerësoj pozitive, pasi kanë shtuar konkurrencën. (panorama sport)
(balkanWeb)
