VORE– Operacioni i Policisë për arrestimin e personave të shpallur në kërkim lidhur me grabitjen e parave të bankës të ndodhur pak ditë më parë në Qafë Kashar, vijon ende. Gjatë mbrëmjes së kaluar në një operacion të shtrirë në disa zona, Vorë, Prezë, Krujë dhe Fushë-Krujë, policia arrestoi 4 nga 6 grabitësit, mes tyre edhe ish-komando që kishin operuar në Afganistan, ç’ka shpjegon edhe saktësinë e tyre operacionale në grabitje.

Edhe ditën e sotme vijojnë kontrollet, ndërsa shtëpia e 33-vjeçarit Fation Xhyliu, tashmë i arrestuar, është marrë në ruajtje nga policia si skenë krimi.

Banesa e tij, ndodhet në katin e 5-të të një pallati në Vorë. Siç raporton gazetarja Doriana Bezat nga zona ku ndodhet banesa e tij, duket se ai jetonte në një apartament luksoz, dhe të arreduar mirë.

Mësohet se banesa është marrë me qira nga vëllai i Xhylit. Nga sa konstatohet, në këtë pallat nuk banonte asnjeri një kat më sipër apo më poshtë apartamentit të 33-vjeçarit.

Edhe vetë banorët e zonës thonë se nuk i njohin të arrestuarit, duke u shprehur se vetëm i kanë parë disa herë, pa shkëmbyer asnjë përshëndetje me ta.

Në aksionet e zhvilluara nga policia gjatë natës, në Vlorë u gjetën në një ambient të jashtëm të groposura dy tenxhere me presion të mbushura me kartëmonedha Paund, Dollarë Amerikanë, Australiane, Kanadeze si dhe Euro.

Ndërsa në Vorë tek servisi i familjes Murataj u gjet një kasafortë me një sasi Eurosh e Dollarë. Kontrollet kanë vijuar në disa banesa, hotele e lokale në Prezë, Vorë, Farkë, në Vlorë, Lushnje etj.
Operacioni vijon qoftë për gjetjen e provave të tjera materiale ashtu edhe për kapjen e personave të përfshirë në këto ngjarje.

Banda e grabitjes në Rinas ka realizuar 2 supergrabitje ku morën mbi 7 milionë euro, por parajsa e tyre e vjedhur zgjati vetëm 14 muaj. Në fund, katër anëtarë nga gjashtë të bandës së Rinasit, përfunduan në prangat e policisë.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb