TIRANE- Arben Seferi është një tjetër drejtor i lartë që jep dorëheqjen. Vendimi i tij vjen vetëm dy orë pas atij të Drejtorit të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni, pas akuzave të vazhdueshme të opozitës se janë njerëz politik dhe nuk mund të realizojnë misionin që u ngarkon ligji i ri i Vetingut.

BalkanWeb ka siguruar letrën e dorëheqjes së Drejtorit të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar drejtuar kryeministrit Edi Rama, ku ndër të tjera sqaron se largimi i tij vjen me qëllim që të përparohet me reformën në drejtësi.
DREJTUAR-EDI-RAMES

Ai jep dorëheqjen pasi e etiketojnë si person politik dhe në këto momente shton se institucioni që ai drejton ka nevojë të dëshmojë paanshmëri dhe transparencë maksimale.

Seferi sqaroi se largimi i tij nga funksioni do të shërbejë për të eliminuar çdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga vettingu.

KUSH ESHTE ARBEN SEFERI
Arben K. Seferi ka lindur me 30.06.1960, në qytetin e Krujës. Ka një përvojë të gjatë në sektorin publik, menaxhimin dhe koordinimin e resurseve njerëzore. Ka ushtruar më herët profesionin e avokatit duke gëzuar edhe titullin “Avokat”. Për një periudhë rreth 20-vjeçare, ka kryer funksione të larta në Shërbimin e Inteligjencës Shqiptare.

Ka kryer studimet e larta në Akademinë Ushtarake, në specialitetin zbulim, në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, dega Juridik. Gjatë karrierës së tij ka kryer kurse e trajnime në shërbimet partnere, si në fushën e sigurisë, ashtu dhe në luftën kundër terrorizmit.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb