TIRANE– Kreu i opozitës Lulzim Basha i ripërsëritur dy rrugët e mundshme që sipas tij mund të ndiqen për të dalë nga situata në të cilën ndodhet vendi, pasi protestave të nisur nga PD prej së shtunës, 18 shkurt. Pas takimit me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, Basha tha se “Ose do të kemi zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie që i garanton ato, ose populli do të vazhdojë të protestojë derisa kjo të realizohet”.

Kryedemokrati ka ritheksuar se në 18 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa u garantuar se do të jenë të lira e të ndershme, duke u shprehur se “Opozita nuk do të lejojë të ketë zgjedhje të manipuluara”.

I pyetur lidhur me deklaratën e bërë nga eurodeputeti Fleckenstein se “vendi i çdo force politike është në Parlament”, Basha u shpreh se opozita nuk mund t’i kthehet një “parlamenti të padekriminalizuar, parlament fasadë”, sipas tij.

“Nuk bëhemi pjesë e parlamentit fasadë. I komunikova eurodeputetit se në këtë parlament të padekriminalizuar, parlament fasadë, opozita nuk ka punë, ndërkohë që zgjedhjet nuk janë të lira e të ndershme. Ne nuk kthehemi në Parlament derisa të plotësohen standardet. Fleckenstein nuk ka ardhur në Tiranë për të negociuar, por është si raporter i Shqipërisë në PE. I shpreha vendosmërinë e opozitës për t’i qëndruar kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Në përgjigje të akuzave se PD po përdor protestën për të bllokuar reformën në drejtësi dhe vettingun, Basha tha se “PD është krenare për kontributin që ka dhënë për reformën në drejtësi, me miratimin e kësaj reforme. Mazhoranca shkeli premtimin e bërë për 7 ligjet, e përjashtuan opozitën nga kjo.
Që opozita të kthehet në Parlament duhet të arrihet një pakt për zgjedhje të lira e të ndershme. Ne jemi përjashtuar nga kjo mazhorancë nga ky aspekt i reformës në drejtësi që në shtator të 2016. PD nuk mund të pranojë asnjë fasadë që mund të sjellë zgjedhje të kapura”.

FLECKENSTEIN I SHMANGET ÇADRËS, BASHA KTHEHET NË ZYRË PËR TAKIMIN ME EURODEPUTETIN
Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein ka nisur sot takimet në Tiranë me ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Më pas eurodeputeti ka zhvilluar takime me krerë të lartë të shtetit, ku pas bisedës me kryeministrin Rama, u shpreh optimist për ecurinë e reformës në drejtësi, vettingun dhe dekriminalizimin.

Por eurodeputeti Fleckenstein ka shmangur çadrën ku po zhvillohet protesta e PD, duke u shprehur para mediave se me kryedemokratin Lulzim Basha do të takohej në selinë e PD. Takimi me Bashën ka nisur prej orës 18:30, dhe protesta dhe kërkesat e opozitës mendohet të jenë veç të tjerash, temë e këtij takimi.

Paraditen e sotme, i pyetur për protestën e opozitës, eurodeputeti tha se vendi i çdo force politike është në Parlament.

Edhe vetë kreu i PD­së, pasi mbajti një fjalim pasditen e sotme në çadrën e protestuesve u ka kërkuar falje atyre që do t’i duhej të largohej për pak minuta, pasi “do të takonte një zyrtar të lartë të PE­së”.

Axhenda e takimeve e Fleckenstein ka vijuar ditën e sotme me një takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta, në praninë edhe të ministrit të Drejtësisë, Vasili. Fleckenstein ka parashikuar një takim gjatë pasdites me ministren e Integrimit Klajda Gjosha, si dhe me liderin e opozitës, Lulzim Basha.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb