TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha është shfaqur pasditen e sotme në krah me artistë e intelektualë, një pjesë e të cilëve të larguar nga puna në RTSH. Pranë kreut të PD në çadër kanë qenë tenori Agim Hushi, kompozitori Edmond Zhulali, këngëtarja Raina Kovaçi etj. Basha ka folur me tone të ashpra ndaj rivalit të tij, kryeministrit Edi Rama duke e akuzuar se do kriminelë në parlament.

Duke iu referuar vendimit të sotëm të KQZ-së për Armando Prengën, Basha tha se Ramës nuk i mjaftojnë provat për ta larguar por nuk do asnjë provë për të përbuzur intelektualët.

“Për Ramën nuk mjaftojnë provat për Armando Prengën sepse e do Parlamentin me plehra. Nuk do asnjë provë për të hequr Zhulalin, Raina Kovaçi, vajzën e Ramiz Kovaçit. Asnjë provë për të përbuzur intelektualët. I vetmi faj i tyre është që nuk i mbushin dot xhepat e Ramës me pare dhe hundën e Ramës me drogë”, tha Basha.

Sipas tij, kjo është diferenca mes dy forcave. “Fuqia jonë janë këta njerëz, më të mirët e qytetarëve shqiptarë. Fuqia e Edi Ramës, janë kriminelët, trafikantët që nuk u mjaftua t’i ulë nëpër dreka e darka, t’i fuste në parlament por tani që ka ardhur ora nga dekriminalizmi të qërohen nga institucionet shqiptare është Edi Rama që i mban aty. Ky po i nxjerr banditët përditë nga burgu”, u shpreh kreu i PD-së.

Ai tha se nga ky shesh po nis një republikë e re më e madhe se të gjitha. “Bashkë nga ky shesh po i japim jetë dhe frymë po i japim jetë një republike të re që është më e madhe se Lulzim Basha”, tha ai.

Raina Kovaçi falenderoi për mundësinë e ngritjes së shqetësimeve në atë që e quajti kuvend të hapur.
“Mënyra e shkarkimit tim nga vendi i punës vjen si pjesë e metodave aq demode të kësaj qeverie, të cilët edhe pse të harruara prej kohe, tani na kujtojnë kohët e errta të atij regjimi të errët që kaloi Shqipëria. Jam munduar të çoj përpara emrin e Shqipërisë. Kur punova në RTSH u përpoqa ta ktheja dhe ta përmirësoja imazhin e vendit tim, por gjithë kjo punë nuk vlejti. Pas gjithë këtij mundimi më erdhi shkresa nga punëdhënësi. Jam shumë e indinjuar për këtë që më ndodhi dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë shqiptarët që të vijnë dhe të tregojnë problemet e tyre”.

Kryetari Lulzim Basha tha se edhe kur vjen puna tek arti kjo qeveri nuk heq dorë nga aferat dhe fasadat. “Afera e Operës është një tjetër aferë që po luhet. A e dini sa shpenzon qeveria për fasadën e operës? 10 milion euro. Financon fasadat dhe vret shpirtin e operas që janë artistët”. Edmond Zhulali e quajti protestën shtatë ditore të thirrur nga opozita si një lëvizje historike në funksion të votës së lirë ku problemet e shqiptarëve marrin zë. “Jam këtu për të protestuar ndaj asaj pseudo reforme të nisur në RTSH, që nisi me largimin e tre muzikantëve që kanë dhënë një kontribut shumë të madh në televizionin shqiptar. Sot të gjithë janë nën frikën e largimit nga puna për shkak të kësaj reforme e cila nuk ka bazë profesionale. Njerëzit duhet të vijnë këtu për të mbrojtur veten e tyre. Natyrisht që këtë lëvizje do e udhëheqë një forcë politike, por kjo i ka kaluar përmasat partiake. Artistët bashkojnë gjithë shqiptarët. Ne artistët nuk jemi as të majtë e as të djathtë dhe është një privilegj që duhet ta shfrytëzojme”. Tenori me famë botërore Agim Hushi, tha se t’i bashkohesh protestës qytetare sot, nuk i jep vetes ngjyrim partiak, por kombëtar.

“Unë sot nuk përfaqësoj ato qindra mijëra që mbushën sheshin në 18 shkurt. Unë sot përfaqësoj atë pjesë të njerëzve që mendojnë se 18 shkurti vazhdon dhe do të vazhdojë me misionin e asaj që zoti Basha dhe partia e tij i ka vënë si synim qytetarisë shqiptare”. Ftesën Hushi ia drejtoi të gjithë shqiptarëve. “Ftoj të gjithë ata që politikisht mendojnë ndryshe që të kuptojnë se sado të mëdha të jenë arritjet që demonstrohen nga pushteti i sotëm, ato të meta me të cilët shqiptarët ndeshen çdo ditë, është pikërisht ktu vendi për t’u dhënë zgjidhje. Kultura ka rënë në duar mjerane, kultura ka rënë në duart e atyre që janë pasionant të flasin për veten e tyre, por duke harruar ata që vëertetë bëjnë kulturën”.

FJALA E PLOTE E LULZIM BASHËS

“Më lejoni ti uroj mirë se ardhjen tre personaliteteve kombëtare, do të thoja ndërkombëtare që na janë bashkuar sonte këtu.
Ranja Kovaçi, arsyeja e zemërimit dhe shpërthimit tim të paraditshëm, që u largua padrejtësisht nga TVSH ditën e sotme, njohëse e katër gjuhëve të huaja “Nder i Kombit”. Por ka një cen, nuk është marrë me trafik droge dhe as me sende të tjera, prandaj ky shtet, ky kryeministër, këta palaço, e largojnë nga puna.
Edmond Zhulali, tre gjenerata shqiptarësh kanë gdhendur në ndërgjegjen e tyre artistike, veshin muzikor, karakterin e tyre estetik duke dëgjuar, parë dhe rishijuar, ripordhuar më zë, me fishkëllimë, artin e jashtëzakonshëm të producentit më të madh muzikor të këtyre dekadave të fundit. I larguar për të njejtin cen, njësoj si Ranja, nuk ka trafiqe dhe rekorde kriminale. Në CV –në e tij është marrë vetëm me art, nuk merret me drogë.
Dhe në krahun tim të djathtë, kam nderin, kënaqësinë, nderin dhe mirënjohjen t’i shpreh mirë se ardhjen artistit me famë botërore, drejtorit të Operas së Singaporit, tenorit me famë ndërkombëtare, Agim Hushi, krenari e kombit, e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Një njeri vlera e të cilit ishin e vetmja hipotekë e kundërshtarëve tanë politikë, kur ishin kundërshtarë politikë, jo tani që janë të inkriminuar, jo tani që janë bërë parti bandash, por kur ishin thjesht dhe vetëm kundërshtarë politikë. Hipoteka e vetme që mund të vendosinin përballë Sali Berishës në Kajavë ishte njeri i vlerave artistike dhe qytetare si Agim Hushi. Sot në sheshin e lirisë, në çadrën e lirisë, këtu me ne.
Ky është sheshi i vlerave të qytetarisë, i vlerave të krenarisë, i vlerave të patjetërsueshme të perëndimit, që janë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, por që mund të ruhen vetëm nga forca e bashkimit popullor, kështu siç jemi sot këtu që prej shtatë ditësh dhe shtatë netësh, që prej manifestimit madhështore të 18 shkurtit.
Ky është shesh i vlerave nga i cili po themelojmë republikën e vlerave, të republikës së krimit, republikës së vesit, përkundër republikës së drogës që nuk njeh as kushtetutë, as ligj, as integritet por vetëm krim, kanabis dhe korrupsion. Kjo republikë e të keqes, që po jep shpirt, dhe shpirt do të japë, teksa ngrihet shpresa e re e shqiptarëve që kanë vrarë frikën, sot me urdhër të Edi Ramës vazhdon ta mbajë Armando Prengën deputet, përkundër faktit që prej dy vitesh është i akuzuar për plagosje me armë zjarri të paligjshme, të katër qytetarëve të pafajshëm në derë të komisariatit. Vazhdon ta mbajë përkundër faktit që siç e patë edhe dje, përkundër quizit këtu, një njeri me nëntë identiteti, njëri më i zi se tjetri. Vazhdon ta mbajë përkundër faktit që ka gënjyer në formularin e tij pavarësisht se ka thënë që është i pastër. Sepse është i pisët, i dënuar. Por këto prova nuk mjaftojnë për Edi Ramën që ta heqë nga parlamenti, sepse parlamentin e do me kriminelë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: