Nga Vlera Lekaj

TIRANE- Nivelet e ulëta të vitaminave në organizmin tuaj, mund të ndikojnë jo vetëm në aftësinë tuaj për të mbajtur mend, por edhe në aftësinë tuaj për t’u përqendruar, për të mësuar dhe për të logjikuar drejt. Truri ynë ka nevojë për të gjitha llojet e vitaminave për të mirëfunksionuar, por disa prej tyre janë më të rëndësishme se të tjerat për kujtesën tonë.

Një studim i rëndësishëm i realizuar nga Universiteti i Oksfordit, arrin në përfundimin se marrja e vitaminave B6, B12 dhe acidit folik reduktojnë atrofinë e trurit, përmirësojnë funksionin e trurit si dhe ulin ndjeshëm tkurrjen e tij në ato pjesë të tij të prekura nga Alzhaimeri.

Këto rezultate janë shumë shpresëdhënëse dhe ekspertët besojnë dhe shpresojnë që vitamina B, mund të përdoret përfundimisht si një nga trajtimet më të lira për Alzhaimerin. Vitamina B njihet si “vitamina e lumturisë” ose “vitamina anti-stres”, meqenëse përmirëson gjendjen tuaj të humorit si dhe rrit tolerancën tuaj ndaj stresit. Një rol i rëndësishëm i atribuohet vitaminës B në prodhimin e neurotransmetuesve të trurit, që janë jetësorë për mirëfunksionimin e tij.

Suplementet e vitaminës B12
Defiçenca e tyre në organizëm mund të shkaktojë një spektër të gjerë çrregullimesh mendore, duke përfshirë demencë, depresion, e deri skizofreni. Ndër më të rrezikshmet është atrofia e trurit, e cila është një pasojë tepër e rëndë. Dy grupet veçanërisht më të rrezikuara janë: të moshuarit, të cilët përgjithësisht kanë absorbim të ulët, si dhe vegjetarianët, meqenëse vitamina B12 gjendet vetëm në produktet e kafshëve. Nëse jeni vegjetarian, merrni parasysh se 90% e vegjetarianëve vuajnë nga mungesa e vitaminës B12.

Kështu që, nëse dyshoni se keni mungesë të vitaminës B12 në organizëm, kryeni matjet e niveleve të kësaj vitamine në gjak. Dhe, nëse rezultoni me nivele të ulëta, atëherë keni nevojë që të merrni suplemente të vitaminës B12 shtesë dhe shumë shpejt nivelet e saj në gjak do të balancohen. Kini kujdes që të gjeni ato suplemente me format më të përshtatshme për absorbimin e vitaminës B12, si methylcobalamin ose adenosylcobalamin.

Mos harroni: nëse po kaloni një periudhë të lodhshme, me vështirësi në përqendrim, mund të keni një defiçencë të vitaminës B12. Banania, karotat, vezët, mishi i shpendëve, peshku, spinaqi, bizelet, patatet mund të jenë një burim i mirë i të gjitha llojeve të vitaminës B. Ndërkohë që vitamina B12 gjendet në të gjitha produktet e mishit, peshkut, shpendëve, vezët dhe bulmetrat.

* Mjeke e përgjithshme

(LifePages/Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: