Në mbyllje të programit 3-vjeçar me Fondin Monetar Ndërkombëtar për konsolidimin fiskal, ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka dalë para gazetarëve për të bërë bilancin e për të konfirmuar ecurinë e marrëdhënies me institucionin financiar ndërkombëtar. Ahmetaj tha se është miratuar marrëdhënia e re me FMN-në dhe se pas zgjedhjeve do të ketë një program të ri.

Aktualisht FMN-ja është në rolin e monitoruesit të ecurisë së zbatimit të rekomandimeve. Në vijim të fjalës së tij, Ahmetaj tha se falë suksesit të arritur me programin e konsolidimit fiskal dhe realizimit të reformave, u bë e mundur rritja e pagave dhe pensioneve.

Më tej, ai evidentoi përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e eksporteve. Sa i përket vitit 2017, ministri i Financave rikonfirmoi se do të ulet borxhi publik dhe do të vijohet me konsolidimin fiskal dhe me zbatimin e ligjit të buxhetit.

Duke evidentuar impaktin që ka tensioni politik te ekonomia e vendit, Ahmetaj tha se një nga sfidat është mirëdministrimi i investimeve dhe mirëplanifikimi i tyre. Pak ditë më parë, bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbyllur edhe rishikimin përfundimtar të programit me Shqipërinë, çka përkthehet në disbursimin e 73.2 milionë eurove nga qeveria shqiptare, duke e çuar huanë me institucionin në 377.3 milionë euro.

Marrëveshja trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar merr kështu fund zyrtarisht. Institucioni bën edhe bilancin e ekonomisë shqiptare, të paktën sa u përket sektorëve ku ishte fokusuar edhe marrëveshja me qeverinë. Në terma të përgjithshëm, institucioni flet me superlativa për ekonominë shqiptare, por nënvizon se, pa vazhdimësinë e axhendës së reformave, ky progres do të rezultojë i kotë.

(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb