TIRANË- Me sa duket zyrtares së lartë të BE-së nuk i kanë mjaftuar 30 minuta për të bindur kryedemokratin Basha që t’i japë fund bojkotit.

Pasi përfundoi takimin me zv/Presidenten e Komisionit Evropian, kreu i PD kërkon realizimin e një pakti kombëtar dhe nuk heq dorë nga qeveria teknike, si e vetmja rrugë për zgjedhe të lira dhe të ndershme. Ai nuk pranoi të komentojë çfarë i kishte thënë Mogherini, duke u shprehur, se nuk mund të bënte zëdhënësin e saj.

“Zonja Mogherini do të shprehet vetë, nuk jam këtu të bëj zëdhënësin e saj, por kauza jonë, kauza e qytetarëve shqiptarë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga ata që i duan të mirën Shqipërisë. Ata që na kanë shoqëruar në 22 vite tranzicion e kutojnë që Shqipëria nuk është një pacient me kollë që shërohet me shurup por një pacient me kancer që duhet të hyjë urgjent në operacion, prandaj duhet një pakt kombëtar që ta kryejmë këtë operacion nëpërmjet një qeverie teknike, çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë”.

Kryedemokrati u pyet edhe për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, në rend të së cilit do të jetë komisioni i vettingut, ndërsa la të kuptohet se do ta bojkotonte.

“Nuk ka parlament tjetër deri në arritjen e një pakti kombëtar për zgjedhe të lira dhe të ndershme”,- tha ai.

Ndërkohë që Basha fliste shumë pranë çadrës për mediat, protestuesit dëgjoheshin teksa thërrisnin “Rama ik”. Menjëherë pas kësaj deklarate ai iu bashkua protestuesve.
(m.a/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: