*Xhuvani: Isha i droguar kur vrava 4 veta. Piva alkool, hashash e kokainë para krimit-
“Xhuvanit, djalit te ish-deputetes socialiste të Sarandës, i hiqet e drejta për liri me kusht-

TIRANE-Përfiton nga gjykimi i shkurtuar, Konstandin Xhuvani, autori i vrasjes së katërfishtë me 4 nëntor, 2014 mori sot nga Gjykata dënimin me 35 vite burg.
Pesë muaj nga kryerja e krimit në një klub nate në Tiranë, gjykata vendosi sot të japë dënimin për Konstandin Xhuvanin, 28 vjec, djali i ish-deputetes dhe aktores Luiza Xhuvani.
Gjyqtari Sokol Tona lexoi vendimin që i riu e priti me qetësi pas hekurave në sallën e gjyqit.
“Pasi dëgjoi palët, avokatin dhe prokurorin, Gjykata shqyrtoi provat dhe vendosi 35 vite burg për shtetasin Konstandin Xhuvani”, u shpreh gjyqtari Tona.

Gjyqtari u shpreh se trupi gjykues vendosi për dënimin me burgim të përjetshëm, por që në respekt të gjykimit të shkurtuar atij i takon të vuajë vetëm 35 vite burg.
Sipas vendimit të sotëm, Xhuvanit, djalit të ish-deputetes socialiste të Sarandës, i hiqet e drejta për liri me kusht.
Vetë Kostandin Xhuvani, i pranishëm sot në leximin e vendimit të Gjykatës ka dëgjuar në heshtje vendimin për 35 vite burg. Pas dëgjesës në heshtje ai doli nga salla e gjyqit po në heshtje.

Vendimi është marrë një ditë pasi i pandehuri ka kërkuar ndjesë për familjet e viktimave.
Konstandin Xhuvani duke degjuar vendimin e 35 viteve burg
kostandin Xhuvani gjate dhenies se vendimit

Ndjesa e Xhuvanit: Isha i droguar kur vrava 4 veta
Kostandin Xhuvani, i akuzuari për vrasjen e katër personave në ngjarjen e 4 nëntorit 2014 në Rrugën e Elbasanit, u kërkon falje familjarëve të viktimave.

Ndjesa e Xhuvanit është fjalia e parë e konkluzioneve të mbrojtjes, të depozituara prej tij në Gjykatë në seancën e djeshme, 9 Mars. Xhuvani argumenton se të gjitha veprimet e tij janë kryer pa dashje, pa vullnet dhe pa ndërgjegje për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe të drogës.

I pandehuri nuk gjeti guximin ta shprehte ndjesën në sallën e gjyqit, ndonëse gjykata i ofroi mundësinë që ai mund t’i lexonte të plota konkluzionet. “Kërkoj të më gjykoni drejt dhe të merrni parasysh rrethanat në të cilat i kam kryer këto veprime. Gjendja ime mendore nuk ka qenë e mirë. Jam munduar t’i
shpjegoj aty”, ishin të vetmet fjali të shqiptuara nga i pandehuri para se ai t’i vinte në dispozicion gjykatës konkluzionet me shkrim.

Pas këtij momenti, trupi gjykues deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për vendim, i cili u shpall ditën e sotme. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Xhuvani akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të Edison Jahos, Enea Xhajit, Arbër Demirajt dhe Xhanpaolo Azzolo.

KONKLUZIONET E XHUVANIT
Pa filluar fjalën e mbrojtjes, po i kërkoj falje familjes së viktimave. Të gjitha veprimet e mia nuk kanë qenë veprime me paramendim, nuk kanë qenë veprime me dashje, por kanë qenë veprime të kryera nga ana ime pa vullnet, pa ndërgjegje, sepse kam qenë në një gjendje shumë të rënduar mendore, për
shkak të përdorimit të alkoolit dhe drogës. Të nderuar gjyqtarë! Që ne fillim të gjykimit, unë kam qenë dakord me veprimet e organit të Prokurorisë dhe, për këtë arsye, unë kam kërkuar gjykimin e shkurtuar.
Gjatë këtij gjykimi, i cili u zhvillua me gjykim të shkurtuar sipas nenit 403 të K.Pr.Penale, prokurori pranoi dhe konkludoi se unë i kam konsumuar plotësisht elementet e veprave penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të katër personave, parashikuar nga neni 79/dh i K.Penal dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak në ambiente publike”, parashikuar nga neni 278/5 të Kodit Penal, të ndryshuar me ligjin 198 të vitit 2014. Duke konsideruar se akuza ka arritur në një konkluzion të drejtë dhe të provuar, unë e kundërshtoj atë nga ana e ligjshmërisë, pra në lidhje me vlerësimin ligjor të akuzës, nenet etj. Ajo që unë dua të theksoj si para gjykatës, është fakti se unë kurrë nuk kam dashur për të kryer një vepër të tillë.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: