TIRANË – Gardiania dhe i dashuri i saj, që nëpërmjet shantazhit seksual u grabisin pasuritë, biznesmenëve, janë njohur me dënimin që ka kërkuar për ta Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në një njoftim për shtyp, kjo Prokurori ka kërkuar sot dënimin me 5 vjet e 4 muaj burg për Ermal Mrrukun dhe 4 vjet burgim për Klodiana Drizën, të akuzuar për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie” në bashkëpunim, dy herë.
Procesi në gjykatë ndaj dy të pandehurve u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Mrruku dhe Driza, që janë hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, akuzohen se, nëpërmjet se nëpërmjet kanosjes u kanë marrë dy shtetasve shuma të konsiderueshme parash. Sipas dinamikës së hetimit, e provuar në gjykim, rezulton se kallëzuesit ishin njohur në kohë të ndryshme me të pandehurën Driza dhe krijonin lidhje intime. Por, siç u provua edhe gjatë gjykimit, në momente të caktuara, të kallëzuarve u paraqitej i pandehuri tjetër, Mrruku, i cili prezantohej si bashkëshorti i Drizës dhe u kërkonte para për faktin se e kishin ofenduar duke krijuar lidhje intime me bashkëshorten e tij.
Nga gjykimi, rezultoi se të pandehurit u kanë marrë kallëzuesve, me anë të kanosjes, shuma parash, si edhe disa objekte të paluajtshme, apartamente.
(ar.sh/BalkanWeb)
