Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare këngëtari i njohur Françesk Radi. Prej disa ditësh Radi ndodhej në reanimacion në gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të një hemorragjie dhe sot ka ndërruar jetë.
Kantautori u shtrua në spital më 27 mars për shkak të një hemorragjie cerebrale.
Për gjendjen e tij të rëndë foli edhe bashkëshortja Tefta Radi, e cila kërkoi lutje nga të gjithë shqiptarët pasi çdo gjë që ishte në dorë të mjekëve ishte kryer. Por pavarësisht përpjekjeve ai nuk mund t’ia dilte.
Pak orë pas shtrimit të tij mjekët pohuan se Radi është shtruar në reanimacionin qendror në QSUT dhe gjendja e tij është shumë e rëndë. Mjekët bëjnë të ditur se këngëtari ka pësuar hemorragji masive të trurit.
KUSH ËSHTË FRANCESK RADI
Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme.
Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972.
Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasmë ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Kantautori Françesk Radi, ishte një emër i cili arriti suksesin e tij muzikor, duke sjellë këngë të cilat janë vlerësuar nga publiku. I njohur me krijimtarinë e tij muzikore që në vitet ’70, ai vijoi dhe vitet e fundit duke prezantuar këngë të realizuara me mjeshtëri dhe muzikë të bukur.
(m.k/BalkanWeb)
