Kombëtarja e Shqipërisë në vitin 2008 vendosi në krye të pankinës holandezin Arie Haan me shpresën për një kualifikim në kupat më të rëndësishme Europiane dhe Botërore, por eksperienca e tij zgjati jo më shumë se një vit. Në një intervistë për mediat belge, Haan ka treguar për arsyet që e shtynë të largohej kaq shpejt nga Kombëtarja kuqezi.

Rrëfimi
Arie Haan tregon prapaskenën e largimit të tij si dhe një nga arsyet thelbësore që e kanë bërë atë që të mos qëndronte gjatë në krye të skuadrës tonë përfaqësuese. “Unë jam një trajner që nuk kam preferuar të shkoj kudo ku më është ofruar. Pas Kamerunit, kam zgjedhur të drejtoj Shqipërinë”, nis rrëfimin e tij ish-tekniku.
Më tej, Haan ka shpjeguar marrëdhënien me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Gjëja e parë që vura re kur mbërrita në Shqipëri, ishte që presidenti i federatës ishte mik i ngushtë me lojtarët ‘e vjetër’ dhe këtë e tregonte qartë sjellja mes tyre që putheshin dhe përqafoheshin. Në lidhje me këtë, kam biseduar drejtpërdrejt me presidentin dhe ia bëra të qartë që nuk duhet të ndodhte diçka e tillë. Kjo, pasi unë nuk kisha plane me ata lojtarë”, ka vijuar më tej Haan.
Në vijim të deklaratës së tij, ish-tekniku i kuqezinjve ka bërë me dije edhe arsyen e vërtetë pse ai nuk ka qëndruar gjatë në krye të skuadrës sonë përfaqësuese. Sipas tij, shkak janë bërë marrëdhëniet e presidentit me plejadën e vjetër të futbollistëve.
“I thashë atij se duhet t’i largonte ‘lojtarët e vjetër’, pasi me ta nuk do të fitonte kurrë. Duke parë që ai e kishte të vështirë diçka të tillë, në maj të vitit 2009 jam larguar nga Shqipëria dhe jam rikthyer në Kinë”, ka deklaruar Arie Haan për “voetbalnieës.be”.
(e.k/BalkanWeb)
