TIRANE- Mes personave të implikuar për vrasjen e pronarit të marketit mbrëmjen e sotme në Durrës është dhe një emër i njohur për policinë dhe mediat. Bëhet fjalë për Jurgen Kurtin, i cili më 4 prill të vitit 2016 u akuzua për vrasjen e babait të tij, raporton ‘BalkanWeb’.
Pavarësisht se u arrestua, ai u la i lirë, pasi daja i tij, Leonard Ristani, mori përsipër autorësinë e krimit. Jurgen Kurti njihet si menaxher i vipave në Tiranë, po ashtu dhe për jetën e tij luksoze.
Në një kohë kur ai rifitoi lirinë, Jurgeni përfundon sërish në qelitë e burgut. Mbrëmjen e sotme i riu u arrestua së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllain e tij, Kujtim Ekonomi për vrasjen e 58-vjeçarit Agim Arapi.
VRASJA E BABAIT TË JURGENIT
Historia në familjen e djalit që vishet me marka, u kthye në një serial mediatik që i ngjasonte një filmi, pasi kureshtja shtohej gjithmonë e më shumë për të mësuar se çfarë ndodhi në shtëpinë e tij natën e 4 prillit. Sipas Policisë, atë mbrëmje viktima Artur Kurti, babai i tij hyri me thikë në dorë në banesë dhe është përleshur me djalin dhe kunatin, ku ka plagosur këtë të fundit. Më pas, në rrethana të cilësuara si të paqarta, në përleshje e sipër, shtetasi Artur Kurti gjeti vdekjen si pasojë e plagëve me thikë. Natyrisht që kjo ishte një tragjedi për jetën e Jurgenit, i cili në të gjitha daljet publike apo statuset që postonte në rrjetet sociale paraqitej si djalë që e dashuron jetën dhe e shijon atë në maksimum.
(ed.me/BalkanWeb)
