NGA AURORA KOROMANI*
TIRANE-Të gjithë efektivët që kryejnë shërbime pune do të marrin më shumë lekë nga dietat. Deri tani, dieta për shërbimet që punonjësit e strukturave të Rendit kryejnë larg vendbanimeve të tyre ka qenë 5500 lekë të reja. Por, burime për “Gazeta Shqiptare” sqarojnë se, me aktet nënligjore që pritet të dalin ditët në vijim për implementimin e ligjit të ri të policisë, efektivëve që kryejnë shërbime në qytete të ndryshme, do t´u rritet dieta me një mijë lekë të reja. Përfitues të këtyre dietave janë efektivët e Forcave Speciale të RENEA-s, ata të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët nuk do të marrin më 5500 lekë në ditë për shërbimet që kryejnë në raste të ndryshme, por 6500 lekë të reja. Përfitues të kësaj diete janë edhe efektivët e çdo strukture tjetër të cilët, në rast të fatkeqësive natyrore dërgohen me shërbime. Mësohet se brenda dietës që përfitojnë efektivët, është parashikuar fjetja dhe pagesa për ushqimin që ata konsumojnë, gjatë kryerjes së shërbimit në rast emergjencash, operacionesh apo edhe situatash të vështira.
Normat
Një tjetër risi për grupin e FNSH-së është edhe norma e vrapit që ata duhet të kapin për të qëndruar në punë. Burime brenda Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë sqarojnë se, nëse më parë efektivët duhej të kapnin normën 3000 metra me vrap, muajt e fundit kjo normë ka ndryshuar. Efektivët e FNSH-së, të cilët duhet të mbajnë vendin e punës, duhet që të vrapojnë 5 mijë metra dhe, përveç kësaj, duhet të jenë të veshur me uniformën e policisë, të mbajnë në kurriz antiplumbin dhe kallashin. “Të vraposh me antiplumb dhe me kallash në kurriz dhe të kapësh normën 5 mijë metra, është shumë e vështirë. Duhet pasur parasysh se sa shumë rëndojnë antiplumbi dhe kallashi”, shprehen zëra brenda FNSH-së, të cilët duken të pakënaqur me këto ndryshime.
Punonjësit e plagosur
Nga aktet nënligjore që janë duke u përgatitur nga ekspertët e grupeve të punës për implementimin e ligjit të ri të Policisë së Shtetit, përfitues do të jenë edhe punonjësit e uniformave blu që plagosen në krye të detyrës. Kjo gjë parashikohet në projektvendimin “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, ku një pikë të veçantë zë edhe trajtimi financiar i efektivëve të cilët plagosen ose pësojnë dëmtime fizike gjatë kryerjes së detyrës së tyre, të cilët është menduar të subvencionohen në masën 50%. Në këtë akt nënligjor po diskutohet edhe mundësia e përfshirjes së pikës tjetër, në të cilën parashikohet masa e shpërblimit që përfitojnë familjet e efektivëve të rënë në krye të detyrës. “Kur punonjësi i policisë humb jetën për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë:a) ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore, sipas pagës referuese të muajit të fundit; b) pension familjar suplementar në masën 100 për qind të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit. c)rimbursim në masën 100 për qind të bursës së studimit në institucionet e arsimit për fëmijët e punonjësit; d)banesë falas për fëmijët dhe bashkëshorten/in, nëse janë të pastrehë; e)një pagë mujore çdo përvjetor vdekjeje”, thuhet në ligjin e ri, i cili hyri në fuqi në datën 1 mars.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
