VENEZUELE- Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka bërë thirrje për rinisje të bisedimeve me opozitën. Ai gjithashtu tha se kërkon që të mbajë zgjedhje vendore. Komentet e tij vijnë pas tre javësh tension në të gjithë vendin. Protestuesit kanë bërë thirrje për zgjedhje presidenciale, teksa kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Maduro.
Negociatat e vitit të kaluar mes opozitës dhe qeverisë u ndërprenë kur opozita akuzoi Maduron për prishje të marrëveshjeve dhe se ka përdorur negociatat për të fituar kohë, shkruan “Al Jazeera”.
Presidenti Maduro është shprehur gjatë një interviste se është dakord për zgjedhje vendore por nuk përmendi zgjedhjet presidenciale.
“Po dua zgjedhje dhe i dua tani. Ky është mendimi im si kreu i shtetit dhe si kreu i qeverisë”.
Të shtunën në Venezuelë u zhvilluan marshime, ku protestuesit në heshtje nderuan rreth 20 persona, të cilët humbën jetën gjatë protestave ditët e fundit. Aktivistë të të drejtave të njeriut janë shprehur se një numër i madh protestuesish janë arrestuar.
Opozita fajëson qeverinë për krizën e ashpër ekonomike që ka përfshirë vendin, që ka çuar në mungesë të ushqimeve dhe mjekimeve.
(el.sp/BalkanWeb)
