TIRANË- Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha refuzon të japë dëshminë e tij para Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se në shkresën dërguar sot Gjykatës së Krimeve të Rënda kërkonte të përfaqësohej nga avokati i tij por nga ana tjetër informonte trupin gjykues se ‘nuk jepte pëlqimin për të dhënë dëshminë e tij’.
Gjykata e Krimeve të rënda sipas hetimeve të prokurorisë kishte vendosur që prova e parë që do të merrte në këtë proces ishte dëshmia e të pandehurit Hoxha. Pas tij do të pyeteshin dy kolumbianët Walther Moren Moreno dhe Cesar Avila.
Dy kolumbianët ende nuk janë shprehur nëse do të dëshmojnë apo jo. Nëntë të pandehurit e dosjes “Xibraka”, akuzohen për trafik narkotikësh e mbetur në tentativë.
Seanca e sotme u shty për mungesë të avokatëve.
Zbulimi i laboratorit te kokainës u bë në Xibrakë të Elbasanit, mbrëmjen e 14 janarit të vitit 2015 dhe u cilësua në atë kohë, si më i madhi në Ballkan. Sipas Prokurorisë, dy kolumbianët kanë pasur rolin e nxjerrjes së ekstraktit të kokainës, e cila ndodhej në fuçitë e mbërritura nga Bolivia dhe Panamaja.
(m.k/BalkanWeb)