POGRADEC – Një ngjarje e rëndë është parandaluar ditën e sotme në qytetin e Pogradecit. Policia ka arrestuar 35-vjeçarin Lorenc Kuqo, banues në fshatin Rëmenj, pasi kishte planifikuar të vriste tre persona të tjerë, me të cilët kishte konflikte të hershme. Gjithashtu ka rënë në pranga një bashkëpunëtor i dyshuar i tij me inicialet N.M.

Nga ana e strukturave policore, falë një pune të mirëorganizuar dhe duke përdorur dhe metodat proaktive u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit : Lorenc Kuqo, 35 vjeç banues në fshatin Rëmenj (me precedent të mëparshëm në krime kundër personit), shkruhet në njoftimin e policisë.

Arrestimi i Kuqos u bë pasi ky shtetas, pas disa konflikteve për motive të dobëta me shtetasit L.T, dhe dy nipërit e tij shtetasit D.M dhe E.M, raste të cilat janë ndjekur dhe dokumentuar në periudha të ndryshme kohore nga Policia, ka  patur si synim t`i vrasë këta të fundit.

Ndërhyrja në kohë dhe me efikasitet e Policisë, ka bërë të mundur parandalimin e kësaj ngjarje të rëndë e cila ishte planifikuar të realizohej në një lokal, çka mund të rrezikonte jetën edhe të personave të tjerë frekuentues të lokalit.

Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua një armë tip automatik kallashnikov, një automjet tip “Volkswagen Passat”, një kapuç (maskë) si edhe 5 telefona celularë.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: