Alban Bushi duhet të fillojë të planifikojë udhëtime edhe drejt Francës para grumbullimit Të radhës më Kombëtaren U-21, pasi atje, në radhët e të rinjve të Olimpik Marsejës, po shkëlqen gjithnjë e më shumë sulmuesi i talentuar Gent Dinaj.
Futbollisti, i transferuar pak muaj më parë nga Dizho te akademia e klubit të njohur francez ka fituar besimin e drejtuesve dhe pak nga pak është kthyer në një lojtar me shumë perspektivë. Dje, ka ardhur edhe kurorëzimi i tij me shpalljen nga klubi i Olimpik Marsejës i “Lojtari i ri i muajit” për prillin.
Bilanci i Dinajt në këtë sezon të parë kanë qenë 7 gola të shënuar me ekipin U-19 të Olimpik Marsejës, ndërsa një prej tyre ndihmoi ekipin të kualifikohej në gjysmëfinalet e turneut “Gambardella”, ku tani OM ka arritur finalen. Për këtë arsye, Olimpik Marseja e ka nderuar me këtë çmim simbolik, por që tregon realisht aftësitë e këtij talenti shqiptar.
Dinaj, i datëlindjes 1998, në të kaluarën është grumbulluar vetëm një herë nga përfaqësuesja U-19 e Shqipërisë, në periudhën kur ajo drejtohej nga Altin Lala. Ai u aktivizua për 45 minuta në miqësoren kundër Italisë të luajtur në “Elbasan Arena” dhe që u mbyll me fitoren 2-1 të italianëve./panoramasport
