NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Ndërtimet pa leje shfaqen edhe në varrezat publike. Bashkia e Tiranës ka konstatuar në varrezat e Sharrës zënien e hapësirave publike të rrugëve ndërlidhëse të parcelave me varre dhe kjo për shkak të mungesës së parcelave të reja që pak vite më parë Bashkia e Tiranës u përball.

Sot Bashkia e Tiranës ka një projekt pilot për Sharrën por më parë familjarët do duhet të bëjnë zhvendosjen e të afërmve nga vendet e zëna pak vite më parë të detyruar nga rrethanat.

Një projekt i shumëdebatuar kohë më parë, ai i varrezave murale, rikthehet sërish në varrezat publike, ku Bashkia në Sharrë ka ndërtuar varrezat e para të këtij lloji.

“Po fillojmë një projekt të ri në varrezat e Sharrës, e cila ka qenë një problematikë të mbartur ndër vite. Madje, gjatë administratës së shkuar kemi patur disa raste çnjerëzore, ku njerëzit janë varrosur edhe në gjurmën e rrugës dhe rrugicave sepse nuk ka patur hapësirë. Nuk është aspak dinjitoze që në qytet të moes gjendej hapësirë për të sistemuar ata që nuk jetojnë më banesën e tyre të fundit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Qytetarët dhe komunitet fetare e kanë kundërshtuar këtë ide që bashkia e Tiranës propozoi pak kohë më parë si mundësi për të kursyer hapësira. Edhe pse një varrezë e tillë u ngrit në Tufinë, nuk pati kërkesa nga familjarët.

Objekti është ndërtuar në forme “U”-je dhe siguron jo vetëm një shfrytëzim më të mirë të hapësirave, por edhe krijimin e mjediseve më të mira për vizitorët.

“Së pari, kemi shpronësuar mjaftueshëm për të pasur rezerva për varreza në të ardhmen. Së dyti, po fillojmë një proces transformimi të të gjithë hapësirës, siç kemi bërë në Tufinë, ku kemi sistemuar të gjitha rrugët e brendshme, e kemi gjelbëruar, kemi shtuar ndriçimin, e kemi asfaltuar dhe rregulluar kanalizimet. Detyra e bashkisë nuk është të administrojë vetëm jetët e atyre që jetojnë në Tiranën urbane dhe që janë gjallë, por sigurisht si një institucion që e shoqëron njeriun nga çeku i bebes e deri në varreza, është në dinjitetin e këtij institucioni që të kujdeset edhe për ata që nuk jetojnë më”, tha Veliaj.

Rehabilitimi i varrezave të Sharrës me rrugë, parkim, ndriçim dhe çezma, i shtohet edhe një rrugë dinjitoze që lidhet me rrugën kryesore.

Por ajo që mbetet për t’u parë është nëse do të ketë dakordësi nga qytetarët për këtë projekt, i cili parashikon që varret mbi 15 vite e më shumë të mund të vendosen në varrezat murale. Në kushtet kur shtrirja e varrezave kërkon hapësirë dhe Tirana ka gjithnjë e më shumë popullsi, qeveria ka miratuar edhe ngritjen e varrezave private gjë e cila nuk ka pasur interes për t’u zhvilluar.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb