DURRES- Kjo që shihni në foto është policja 23-vjeçare Peranxhela Shahini që i dha fund jetës në rrethana ende të paqarta duke u vetëqëlluar në bark me armën e shërbimit, në katin e dytë të banesës në Katund Sukth të Durrësit.

Fotoja është siguruar ekskluzivisht për BalkanWeb nga gazetarja Klodjana Haxhiaj.

Peranxhela, një vajzë brune dhe bukuroshe (siç mund të shihni në foto) ishte motra e tretë e familjes të përbërë nga 2 prindërit dhe 4 vajzat e tyre, ndërsa të gjithë e njihnin për vajzë mjaft serioze dhe tejet të përmbajtur, raporton “BalkanWeb”.

E reja nuk kishte probleme psikologjike dhe as sociale. “Ishte tip i fortë dhe i ftohtë, gati si çun”,- kanë thënë koleget për “BalkanWeb”.

Edhe policia përjashton faktin të kemi të bëjmë me ngjarje aksidentale, pasi e reja kishte vendosur qytën e pistoletës në bark, çka do të thotë se kemi të bëjmë me vetëvrasje të pastër, për arsye që mbeten ende të paqarta.

Sipas hetuesve, akti i rëndë s’ka të bëjë me detyrën që e reja ushtronte, pasi nuk janë në dijeni që policja të kishte pasur presione apo kërcënime nga persona te tjere.

Gjendja familjare e polices mësohet të ketë qenë e qëndrueshme dhe përjashtohet pista se ajo mund të jetë shtyrë drejt këtij akti për çështje sociale.

Policia ka marrë për verifikim telefonat celularë të 23-vjeçares për të zbuluar apo marrë ndonjë indicie rreth shqetësimit që ka pasur kolegia e tyre që u vetëqëllua me armën e shërbimit.
(m.a/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb