ELBASAN- Kryeministri Edi Rama tha sot nga Elbasani se në orën 12 të natës mbaron çdo gjë, duke i kujtuar PD-së edhe njëherë vettingun. Rama deklaroi se ofertat nuk janë autobusë unaze dhe se PS ka përgjegjësi për vendin si partia më e madhe.

“Ofertat nuk janë autobusë unaze që ti të thuash jo s’po hipi se do vijë prapë. Ndërkohë PS që është partia më e madhe dhe që ka përgjegjësi nuk mund t’ia lejojë vetes të ndalojë punët e vendit se disa kujtohen ‘prit se më duket se gabova unë atëherë dhe tani m’u mbush mendja’. Për më shumë ditët janë përpara. S’mund të flas më shumë sepse mendoj se duhen respektuar miqtë tanë dhe më pas secili do thotë të vetat dhe populli do gjykojë kush ka të drejtë. Një gjë po ju them që e gjithë kjo histori e ka rrënjën tek frika e tyre nga drejtësia dhe e gjithë kjo përpjekje për të thënë sot se papritur pa kujtuar atyre iu lindi në zemër ta votojnë vettingun nuk është asgjë tjetër përveçse një lojë, një justifikim. Mbi të gjitha nuk jemi ne, nuk është populli që ju ka borxh atyre këto 3 muaj rrumpallë në bulevard por janë ata që i kanë borxh popullit vettingun.
Kështu që nuk po na bëjnë ndonjë dhuratë, por do ishin seriozë nëse do bënin detyrën që iu takon”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se më 18 qershor njerëzit do ta mbyllin njëherë e mirë kapitullin e lojërave.

“Mesazhi im për ju dhe për të gjithë është ne në 18 qershor do marrim nga njerëzit gjykimin mbi çfarë kemi bërë dhe mbi sa shumë akoma duhet të bëjmë dhe po në 18 qershor me votën për PS njerëzit do ta mbyllin njëherë e mirë kapitullin e këtyre lojërave pa mbarim. Nëse ata nuk do të kthjellohen deri në fund të ditës së sotme, se në 12 mbaron çdo gjë dhe nuk vijnë të votojnë për vettingun dhe të hyjnë në zgjedhje, 18 qershori do të jetë dita kur do t’i hapet rrugë vettingut, do zhbllokohet vettingu”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: