Nga ORNELA MANJANI*

Kompensohen 544 pronarë, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Shuma e kompensimit arrin në 253 milionë lekë dhe përfituesit janë në qarqet Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Kukës. Burime zyrtare nga Agjencia e Legalizimit Urbanizimit Integrimit të Ndërtimeve Informale bëjnë të ditur se është zbardhur lista e përfituesve të miratuar nga Këshilli i Ministrave për shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale për të disa qarqe.

Vendimi

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave mësohet se është vendosur shpërblimi i pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës dhe Kukësit. Vlera e përgjithshme e kompensimit, për sipërfaqen prej 25 242.55 m², që shpronësohet, të jetë 253 184 771.36 lekë. Në vendimin e qeverisë është përcaktuar sipërfaqja e tokës, për të cilën pronarët do të kompensohen dhe vlera në para që përfiton secili pronar. Në vendimin e qeverisë mësohet se përfituesit për Tiranën janë 352 pronarë, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Ndërsa në qytetin e Elbasanit janë 92 persona që marrin kompensimin. Në listën e përfituesve janë edhe pronarët në qytetin e Vlorës ku përfitojnë 37 persona. Sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave në qytetin e Shkodrës janë 60 pronarë. Qeveria në vendimin e saj urdhëron zyrat përkatëse të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të kryejë ndryshimet, për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Sipas vendimit të qeverisë ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi. Paratë do të kalojnë në llogaritë e përfituesve pas botimit të vendimit në “fletoren zyrtare”.

Përfituesit

Për të përfituar kompensimin për pronën e zënë nga ndërtimet pa leje duhet të plotësohen një sërë dokumentesh. Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Subjekti përfitues duhet të paraqesë vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të kërkuesit dhe mandatpagesën. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb