Ministria e Shëndetësisë pezulloi sot drejtoreshën e Qendrës Shëndetësore numër 1, Lushnje, e cila dyshohet se ka marrë pjesë në fushatë elektorale gjatë orarit të punës dhe për më tepër ka detyruar edhe vartësit.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje Ministri teknik i Shëndetësisë, Arben Beqiri thirri sot në një mbledhje të gjithë drejtorët e spitaleve rajonale dhe të Tiranës për risjelljen në vëmendje të respektimit të urdhrit të Kryeministrit për mospjesëmarrjen në fushatën zgjedhore

Pas takimeve me drejtuesit e spitaleve, ministri teknik i Shëndetësisë po sot zhvilloi rreth mesditës në Elbasan një mbledhje me të gjithë shefat e “Qendrës Spitalore “-“Dr.Xhaferr Kongoli ” ku u ka rikujtuar se duhet të repsektojnë urdhrin e Kryeministrit për mospjesmarrjen në fushatën zgjedhore.

Sipas njoftimit për shtyp, ministri Beqiri “i ka inkurajuar drejtuesit e reparteve të QS të Elbasanit për të punuar sa më shumë në shërbim të nevojave të pacientëve”. Gjithashtu ministri teknik i Shëndetësisë ka kërkuar që të ketë angazhim të jashtëzakonshëm në çdo orë dhe çdo kohë për nevojat e pacientëve.

Ndërkaq jashtë kamerave ai komentoi edhe pezullimin e drejtoreshës së Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnje duke bërë me dije se “ngritjen e një grupi pune për verifikimin e situatës në terren (përkatësisht në Qendrën Shëndetësore numër 1, Lushnje) dhe shumë shpejt gjithçka lidhur me këtë rast do t’i përcillet publikut me transparencë të plotë në faqen zyrtare të MSH”, – ka sqaruar Beqiri.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb