TIRANË – Pas disa muajsh punime, sheshi “Skënderbej” tashmë është i hapur për të gjithë qytetarët.
Pas ngritjes së flamurit kuqezi në majë të shtizës pranë monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu, u këndua himni i flamurit. Më pas fjalën e mori kryetari i Bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj
“Nuk kam përjetuar emocion më të fortë se të shoh të ngrihet flamuri shqiptar pranë Skënderbeut. Unë e kam ndjekur çdo pllakë të vënë, çdo pemë, çdo shatërvan, duke na sjellë një imazh të jashtëzakonshëm që mund ta shohin të gjithë. Ky është një nga sheshet më të bukura në botë. Sot kam një lajm shumë të mirë. Nga dje jemi ftuar ta prezantojmë sheshin në bienalen e famshme të Çikagos, si një nga arkitekturat më moderne në botë. Nga një rrethrrotullim i pakuptimtë smogu e trafiku e kemi kthyer në projekt madhështor,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku nuk mund të linte pa falenderuar kryeministrin Edi Rama për mbështetjen dhe vizionin e tij.
“Falenderoj një nga miqtë e mi më të mirë, që u kthye në burim frymëzimi për të gjithë ne, që kishte një vizion madhështor për qendrën, pa të, pa mbështetjen dhe vizionin e tij, Tirana nuk do kishte sot këtë qendër. E besoj nga zemra, se Shqipëria është me fat që ka Edi Ramën,” u shpreh Veliaj.
(e.f/BalkanWeb)
