TIRANE- Arben Frroku shpallet i pafajshëm për akuzën e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Gjykata e Krimeve të Rënda ka deklaruar se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk provohen, prandaj ka vendosur për lirimin e menjëhershëm të Frrokut. Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda, trupi gjykues, i kryesuar nga Dritan Halluni lexoi përfundimet e saj, duke liruar nga akuzat Arben Frrokun.

Arben Frroku fiton lirinë pas më shume se dy vitesh burg, në një kohë kur vëllai i tij, deputeti Mark Frroku është arrestuar për të dytën herë për akuzën e “Vrasjes me paramendim”. Vendimi i Gjykatës është pritur me duartrokitje nga familjarët e Frrokut.

Prokuroria ka kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm të biznesmenit Frroku, pasi sipas akuzës ekzistojnë fakte të pakundërshtueshme që ai ka marrë pjesë në vrasjen e ish-kryekomisarit të ndjerë Dritan Lamaj. Organi i akuzës ka deklaruar se do të apelojë këtë vendim të Krimeve të Rënda.

Nga ana tjetër Arben Frroku ka deklaruar se është i pafajshëm dhe se në këtë ngjarje ishte përfshirë politikisht.

ARBEN FRROKU LARGOHET NGA AMBIENTET E BURGUT 302 NË TIRANË
Ora 17:54- Arben Frroku ka lënë ambientet e burgut 302 në Tiranë, i shoqëruar nga duartrokitje e brohorima të familjarëve, të afërmve dhe miqve të tij. Me të dalë nga porta kryesore.

AVOKATI: U PROVUA QË ARBEN FRROKU ISHTE I PAFAJSHËM
Menjëherë pasi përfundoi procesi, avokati mbrojtës i Frrokut deklaroi se, “U provua që Arben Frroku nuk ishte autor i kësaj vrasje, që nuk kishte lidhje me të, që ai ndodhej në dalje të Elbasanit kur ndodhi vrasja. Mendojmë që kishte prova të forta që provonin pafajësinë e Frrokut. Prokuroria kishte fantazi, argumenta që nuk qendrojnë”.

VRASJA
Vrasja e Dritan Lamaj është kryer në datën 24 shkurt të 2013 teksa efektivi i policisë është qëlluar sapo ka hyrë brenda në makinën e tij. I pandehuri nuk e ka pranuar akuzën, duke pretenduar se në momentin e vrasjes ndodhej në të dalë të Elbasanit, pasi po udhëtonte drejt Greqisë.

Për të rrëzuar këtë alibi, gjykata bëri edhe eksperimentin për të vërtetuar se sa orë duhet për të mbërritur në pikën e kalimit kufitar nga shtëpia e Dritan Lamajt. Per kete vetem pak seanca me pare Gjykata për Krimet e Rënda pranoi si provë eksperimentin hetimor të 25 shkurtit, i kryer në funksion të procesit gjyqësor ndaj biznesmenit Arben Frroku.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb