SHIJAK- Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Shijak, e cila për pak sa nuk humbi jetën pasi nusja e djalit e helmoi. 42-vjeçarja Arjana Stafa rrëfen në një intervistë për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ momentet e tmerrit që kaloi kur nusja e djalit të saj, Elda Tanushi, 19 vjeçe i hodhi brenda në kos helm. Ajo tha se pasi nusja i kishte çuar një gotë kos, kishte ndjerë një erë të keqe. Pavarësisht kësaj, gruaja e kishte pirë në gjysmë gotën, e më pas e kishte pyetur se çfarë kishte brenda.

Mes të tjerash zonja e shtëpisë i kishte kërkuar nuses që ta pinte edhe ajo për të parë se çfarë kishte brenda, por e reja kishte refuzuar. Vjehrra shton më tej se nuk do e falë kurrë për këtë veprim nusen e saj, pasi e kishte mbajtur më mirë se fëmijët e saj.

‘BalkanWeb’ zbardh intervistën e plotë që gazetarja Klodjana Haxhiaj bëri me Arjana Stafën, e cila aktualisht ndodhet në shtëpinë e saj dhe jashtë rrezikut për jetën.

Si ndodhi ngjarja?
Unë isha në shtëpi. I thash: “Jepi mamit një gotë kos, mu tha goja”. Më pas e pyeta, se ‘ca është kjo erë’. I thash ka erë. ‘Është erë e tmerrshme’. Pasi e piva, i thash: “Si ma bërë këtë gjë’. Unë sa piva gotën desh vdiqa. I thash ‘pije ti’. ‘Jo tha nuk e pi’ më tha. E hodhi pastaj. Rashë në krevat. Më pas erdhi djali dhe më pyeti se ça kisha. Më çuan në spital.

Të tregoi nusja se të kishte hedhur helm?
Po më tregoi që më kishte hedhur helm. Më tha se kishte marrë tek babai. E më tha se ‘e bëra për arsye personale, të trupit tim’.

Kishit konflikte me nusen?
Nuk kishim asnjë konflikt. Më mirë kam mbajtur atë sesa fëmijët e mi. Si kam bërtitur njëherë. Si kam thënë kurrë asnjë llaf të keq. Kjo që më ka bërë mua ajo.

A ja fal asaj?
Jo atë që më ka bërë mua?? Gjallë në botë. Atë që më bëri mua s’kam si e fal.

NGJARJA
Denoncimi në policinë e Shijakut është bërë nga vjehrra e 19-vjeçares mëngjesin e 1 korrikut. Arjana Stafa ka deklaruar se mbrëmjen e 30-qershorit ka përfunduar në urgjencën e spitalit të Durrësit me simptomat e një helmimi ushqimor. Nga analizat e kryera rezultoi se 42-vjeçarja ishte helmuar me një sasi të vogël helmi “Akravil”. Pas trajtimit që mori në spital, ajo u kthye në banesë. Ishte nusja ajo që i tregoi vjehrrës se e kishte helmuar me ilaçin e mizave, të cilin ia kishte hedhur në gotën e kosit. E tronditur, vjehrra ka denoncuar nusen e djalit në policinë e Shijakut.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb