TIRANE- Pas rrëzimit të akuzës se kishte vrarë komisar Dritan Lamajn, (dhe nëse Apeli do të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë) Arben Frroku do të fitojë lirinë dhe brenda një kohe të shkurtër ai mund të marrë edhe mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo pasi Arben Frroku është i dyti i listës së Partisë Kristian Demokrate në Qarkun e Shkodrës, aty ku vëllai i tij, Mark Frroku fitoi numrin e mjaftueshëm të votave për tu bërë deputet.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të mbajtur në arrest me burg Mark Frrokun dhe nëse shteti belg do të transferojë në Shqipëri dosjen e tij, kjo do ta bënte të pamundur vazhdimin e aktivitetit politik të Mark Frrokut. Në rast të një vendimi të formës së prerë nga Gjykata, mandatin, deri në fund të legjislaturës do ta gëzojë Arben Frroku.

Paradoksalisht, në të njëjtën ditë, duket se fati i ka buzëqeshur Arben Frrokut që ka dalë nga burgu dhe jo Mark Frrokut që ka hyrë në burg. Ndërkaq, pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për lirimin e Arben Frrokut, prokuroria ka 10 ditë afat për të apeluar vendimin. Me shumë gjasa,
ky vendim pritet të shkojë në Gjykatën e Apeli nga organi i akuzës, duke filluar një tjetër proces gjyqësor ndaj Arben Frrokut.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: