MEMALIAJ– Mungesa e ujit të pijshëm ka bërë që banorët e Memaliaj të protestojnë para Bashkisë së qytetit.
Banorët ankohen se prej një muaji vuajnë mungesën e theksuar të ujit në rubinetat e tyre, duke i detyruar të mbushin ujë në lumin e Vjosës. Sipas tyre, Memaliaj nuk duhet të jetë më në varësi të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tepelenë.
Ankesave të banorëve iu është përgjigjur drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Tepelenë, Arben Kaçorri, i cili shprehet se shkaktar kryesor i situatës është thatësira e madhe dhe e zgjatur.
Problemi thellohet sipas tij edhe nga shpërdorimi i ujit të pijshëm për vaditje dhe ndërhyrjet e paligjshme në rrjet.
Ujësjellësi Tepelenë ka rreth 4000 abonentë familjarë dhe biznese, 74% prej të cilëve paguajnë detyrimet. Qyteti i Memaliajt i shlyen faturat vetën në masën 45%.
(el.sp/BalkanWeb)
