Nga Anisa AGASTRA
“Çmenduria vrasëse online” apo fenomeni “balena blu” kanë tërhequr vëmendjen mediatike e shoqërore për shkak të nivelit të përhapjes dhe mbi të gjitha, viktimave të targetuara. Loja e rrezikshme që nxit kryesisht fëmijë e adoleshentë të dëmtojnë e të vrasin veten preku së fundmi edhe shqiptarët. Kronikat në median online, atë vizive apo atë të shkruar tregojnë për raste të vetëvrasjes së rreth 140 të rinjve jashtë Shqipërisë dhe disa të tjerëve brenda vendit. Lajme të tilla u bënë të bujshme dhe sa më shumë kronika e raste të shfaqeshin, aq më shumë dilnin në pah raste e shqetësime të reja.

Filozofia e lojës së rrezikshme bazohet në dy elementë kryesorë që lidhen me targetimin e gjetjen e viktimave dhe parapërgatitjen psikologjike të tyre për të hyrë në rrethin vicioz të lojës. Më tej fazat dhe rregullat e lojës manipulojnë psikologjikisht duke çuar personin drejt vetëflijimit.

Fakti që targeti janë fëmijë apo adoleshentë e bën akoma më të prekshme dhe në qendër të vëmendjes fenomenin “balena blu”. Kronikat e rasteve tregojnë mënyra se si ‘loja’ bën për vete dhe tërheq vëmendjen e personit. Kjo lojë virtuale shfaqet në formën e aplikacionit që mund të shkarkohet në celular apo administratorët e saj, nën pseudonimin ‘Balena blu’ shkruajnë në inboxet e adresave personale të personave që targetojnë. Në disa raste është realizuar përzgjedhje selektive e në raste të tjera, jo.

Krimet kibernetike apo krimet nëpërmjet kompjuterit janë aktivitete kriminale që realizohen nëpërmjet kompjuterit dhe rrjeteve online dhe janë të rrezikshme pasi kanë mundësi të zgjerohen me shpejtësi si pasojë e intensitetit të lartë dhe shpejtësisë së lëvizjes së internetit e tekonologjisë dhe elementit të anonimitetit të dukshëm, që vështirëson zbulimin e veprave të tilla.

Nga eksperienca dhe praktika në këtë fushë, krime të tilla kanë zanafillë të brendshme dhe realizohen nga persona të pakënaqur e të papërmbushur; nga persona që mund të vuajnë nga çrregullime në sjellje e deri në sëmundje mendore; nga persona që janë të prirur për të përfituar; nga persona që luftojnë për ideale të veçanta dhe sakrifikojnë gjithçka për të; nga persona që kanë prirje për agresivitet e tendenca armiqësore; e të tjera motivacione. Nga ana tjetër këto krime kanë tendencën për të targetuar apo goditur viktimat më të dobëta, më të papërgatitura që përbëjnë shënjestrat më tërheqëse.

Krijuan ‘balenën blu’ të rinj nga Rusia, ndër të cilët disa janë zbuluar e të tjerë pritet të zbulohen. Balena është kafshë e vetmuar, e padëmshme për të tjerët por e prirur për të qendruar vetëm dhe që ka nevojë herë pas here të qëndrojë në ujë dhe të dalë nga uji pasi e ka të nevojshme frymëmarrjen. Në qoftë se rri në ujë apo në ajër për shumë kohë ajo mund të vdesë. Balena është zgjedhur me qëllim nga ata që kanë ideuar lojë. Kjo formë e krimit online është e pasur me simbolika direkte apo indirekte, deri në mënyrën se si arrihet të përfshihen personat në lëmin e lojës. Ka mundësi që ata që ideuan lojën të kenë pasur probleme me vetminë, me mënyrën si janë rritur, me sjelljen e me personalitetin e tyre dhe këtë e reflektojnë me krijimin e lojës dhe rregullave të saj.

Loja është e aksesueshme për të gjithë dhe balena blu herë përzgjidhte e herë nuk përzgjidhte personat, por ajo që është për t’u theksuar është se ‘ajo’ ngulmon dhe kërcënon duke presionuar për të përfshirë në vorbullën e saj.

Në momentin që përfshihesh në rrethin e balenës, është vështirë të shkëputesh – kanë thënë në deklaratat e tyre fëmijë e adoleshentë që kanë rënë pre e saj, por ia kanë dalë të shkëputen. Presionet e kërcënimet janë të shpeshta dhe balena virtuale këmbëngul për të futur në rrethin e vet të gjithë ata me të cilët kontakton. Për këtë janë evidentuar shumë prova faktike të sms-ve e bisedave të rasteve konkrete që kanë rënë në kontakt me të ashtëquajturën balena blu. Ka pasur raste që fëmijët apo adoleshentët kanë kundërshtuar, ofenduar apo tallur balenën ndërkohë kjo e fundit vazhdonte të këmbëngulte.

Kur bëhesh pjesë e një grupi, pavarësisht nga arsyet e motivimet, ka mundësi për deindividualizim. Në këto rrethana individi humb apo zhvendos identitetin personal, humb vetëkontrollin, priret të jetë më shumë emotiv e agresiv dhe është i gatshëm të shkatërrojë. Duke u identifikuar me grupin, ruan anonimitetin dhe kjo nxit sjelljen kriminale, në trajtën e një rrjeti kriminal online dhe e bën këtë formë të krimit, tendencë për kohën në të cilën jetojmë.

Arsyet që nxisin ideimin e këtyre lojrave virtuale mund të jenë të shumta dhe lidhen me trauma të mundshme, boshllëqe apo çrregullime psiko-emocionale që lidhen ngushtë me kushtet paraprake ndikuese me natyrë sociale, ekonomike, politike, kulturore, formuese e edukuese. Për të hyrë në mendësinë e tjetrit këto i parapërgatisin ata për të ndryshuar kognicionin, perceptimin, ndjesitë e emocionet me anë të rregullave të lojës që lidhen me dëmtim e prerje të vetes, zgjim në orët e vona të darkës, shikimin e videove dhe sekuencave të frikshme të filmave, qëndrimin sa më shumë vetëm e të parrethuar me njerëz, e në fund me vetëvrasje. Hap pas hapi këto rregulla ndikojnë drejt një degjenerimi psikologjik në formën e një manipulimi të rrezikshëm në mënyrë virtuale që u bëhet sidomos fëmijëve e të rinjve për të arritur në pikën e vetëvrasjes.

Fëmijët dhe adoleshentët kanë personalitet ende të pazhvilluar e të paformuar nisur nga mosha e tyre, kështu që kanë më shumë mundësi të tërhiqen dhe të përfshihen nga loja, fillimisht të nxitur nga kurioziteti. Ata që kanë predispozitë më të lartë për të qenë të vetmuar e depresivë janë më të riskuar të bien pre deri në fund e lojës dhe të realizojnë vetëvrasje. Edhe të rriturit, si rasti i një djali në moshën 28-vjeçare në Shqipëri, mund të bien pre e lojës në rast se janë natyra introverse, të prirur për të qëndruar vetëm, pa shumë shoqëri dhe me mundësi për depresion.

“Balena blu” e ka më të thjeshtë të depërtojë në këta persona, e në mos këtë, ajo tenton që me anë të bindjes e manipulimit psikologjik virtual me rregullat kronologjike të lojës ta çojë individin drejt vetëlëndimit, vetmisë, frikës, mbylljes në vetvete dhe mosshoqërimit me njerëz të tjerë. Të gjitha këto çojnë në izolim nga shoqëria, rëndesë të mendjes, zbrazëti emocionale, bindje të vetvetes në çdo sekondë, minutë, orë të ditës se të presësh veten, të shikosh video të frikshme, të largohesh nga miqtë e familja, të mbyllesh në dhomë, të rrish pa ngrënë duhet të realizohen medoemos për të përmbushur qëllimin tënd, perceptimin e qëllimit të lojës tënde, që në fund të fundit nuk është veçse qëllimi i errrët për të bërë keq e për të marrë jetën, i dikujt apo i disave që qëndrojnë gjithnjë pas kuintave. Perfeksionimi i këtyre mendimeve i kthen këto bindje e veprime në zakone, e këto zakone kthehen në rutinë dhe rutina nxit vetëvrasjen.

Balena zë kohën e individit, e lidh me veten dhe rregullat e saj, plotëson boshllëqet derisa bëhet qendra e jetës, e mendjes dhe e emocioneve. Si rrjedhojë, ajo gradualisht fiton tagrin të ketë pushtet mbi individin sepse kontrollon mendjen dhe emocionet e tij. Në këtë mënyrë e ka më të thjeshtë ta orientojë drejt aktin të fundit, vetëflijimit për të arritur nivelin e fundit të lojës.

Një vajzë 14 vjeç nga Fieri, sipas raportimeve të shoqës së ngushtë, kishte shenja të dukshme shqetësuese të pasojave të lojës si: mbyllje në vetvete, veshje e bluzave të gjata që mos dukeshin shenjat e çarjeve e prerjeve në lëkurë, mosdëshira për të ngrënë, pagjumësi, mungesë dëshire për të folur e për të ndenjur me shoqet, zgjim në orët e vona të natës, etj. Këto janë simptoma tipike të rënies në depresion dhe rëndesat e vazhdueshme të kësaj gjendjeje mund të çojnë në gjendje psikoze, që nxisin predispozitën për vetëvrasje.

Ashtu si një gjendje e çekuilibruar mendore e nxitur nga faktorë të shumtë sociale, si mungesa e një pune, probleme e grindje në çift, pamundësi ekonomike, pamundësi për të qenë të suksesshëm, varfëria, mentaliteti, etj nxit sjelljen vetëvrasëse, ashtu edhe ‘balenda blu’ është lojë virtuale, e cila me rregullat dhe qëllimet e saj dëmton psikikën e njeriut, e sidomos të fëmijeve e adoleshentëve, duke i çuar drejt vetëvrasjes ose zgjon tek ata dëshirën për vetëvrasje.

Këto rrjete online janë të rrezikshme, tipike dhe fatkeqësisht të pashmangshme për botën në të cilën jetojmë, ku prirja është drejt komunikimit dhe ndërveprimit nëpërmjet valëve të internetit, të cilat sa na afrojnë, aq edhe na largojnë; sa na ofrojnë shpejtësi, aq edhe pasiguri; sa thyejnë kufijtë e barrierat, aq edhe na largojnë nga realiteti.

Pozitiviteti duhet parë te informacionet e shumta dhe të aksesueshme për të gjithë dhe leximi e përdorimi i tyre për të informuar e ndërgjegjësuar sa më shumë rreth gjithë problematikave në botë, e më së shumti me ato që vijnë nga bota virtuale. Duhet të të ndërgjegjësohemi të gjithë, prindër, fëmijë, të rinj, grupet shoqërore e vetë shoqëria për problemet sociale virtuale me të cilat jetojmë çdo ditë, që janë të pashmangshme por që duhet të gjejmë mënyra për t’i kuptuar, për t’i diferencuar e më tej për t’i parandaluar.

“Balena blu” mund të godasë sërish nesër apo në një të ardhme dhe në vend të saj mund të vendoset një pseudonim tjetër, por që ndjek logjikën parësore, tendencën për të bërë dëm. Nuk ka receta absolute për zgjidhje por gjithmonë duhet treguar vëmendje ndaj sjelljeve shqetësuese që mund të shfaqin individët dhe duhet dhënë ndihmë aty ku mendojmë se është e nevojshme. Ndihma ndaj tjetrit, solidariteti dhe bashkëpunimi me profesionistë e specialistë të fushës si punonjës socialë, psikologë, sociologë, mjekë, terapistë etj. ndikojnë gjithnjë pozitivisht në lehtësimin e rrethanave dhe parandalimin e agravimit të situatave.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb