TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për listën e publikuar dje nga kreu i qeverisë, ku renditeshin emrat e 100 personave, punonjës të administratës, zyrtarë të drejtësisë dhe mjekë të denoncuar nga qytetarët për shkelje.

Berisha e quan ‘listën e zezë’ të Ramës, akt të pashembullt dhe antiligjor. Por Berisha ‘rrëfen’ edhe ‘qëllimin e vërtetë’ të publikimit të kësaj liste.

Sipas tij, është vetëm denigrimi i mjekut Mentor Petrela, që siç thotë Berisha di shumë për shëndetin mendor të Edi Ramës. Ish-kryeministri e lidh këtë me kërkesën e Metës, për kontroll psikik të Ramës. Berisha flet për disa takime e vizita diplomatësh në neuropsikiatri, ndërsa deklaron se me Kushtetutë profesor Petrela është i detyruar të japë çdo informacion konfidencial presidentit të Republikës në detyrë dhe atij të zgjedhur.

STATUSI I BERISHËS
Lista e zeze e Ramës, Trieste dhe presidenti i zgjedhur Ilir Meta!
Sot, Edvin Kristaq Rama, në një akt te pashembullt, antiligjor, antikushtetues botoi listën e tij të zezë apo listën e urrejtjes, hakmarrjes dhe gjahut të shtrigave. Ai, sikur të ishte në mjekim pa rezultat ne ndonjë spital psikiatrik, ka renditur në liste 101 persona me emër ose funksione duke mos paraqitur asnjë prove, fakt, dëshmi apo dokument për asnjërin prej personave të akuzuar dhe i ka vendosur në listën e tij të zezë.

Shkurt, njëlloj si dikur për eterit e tij, akuza është njëkohësisht dhe prova e fajësisë së të akuzuarit!

Në të vërtetë, historia e listave të zeza është histori diktaturash mizore. Kështu, në vitet e para pas luftës, etërit e Edi Ramës, për të mbjellë terror mbushnin muret e shkollave dhe ndërtesave të tjera publike me listat emërore të armiqve të regjimit të varur apo pushkatuar atë ditë apo atë javë.
Po kështu, lista të zeza por top sekrete dhe jo publike mbante policia sekrete hoxhiste me emrat e personave që do pushkatoheshin pa gjyqe në rast të një situate të veçantë.

Prandaj dhe dje, një mik i imi që kishte patur emrin në listat top sekret te sigurimit dhe që fëmijë kishte lexuar emrin e xhaxhit të tij, në shkurt të vitit 1945, në një listë të varur në një shtyllë së bashku me 8 emra të tjerë të pushkatuar atë jave në qarkun e Shkodrës, i tronditur me shkruante dje se Rama u kthye tek shteti i listave!

E vërteta është e vërtetë, lista e zezë është listë e zezë!
Mirëpo konstatoj se lidhur me qëllimet e listës së zezë të Edi Ramës ka konfuzion.
Unë mendoj se dy janë qëllimet më kryesore të Edi Ramës dhe listës së tij të zezë.

Njëri prej tyre edhe lidhet me Triesten, natyrisht jo me përpjekjen e Ramës për të mbuluar dështimin e tij të plotë në samit për sa u përket projekteve, siç kanë shkruar dje në media disa gazetarë. Lista lidhet me Triesten me diçka tjetër që nuk ka asnjë lidhje me projektet.

Cilido që lexon me vëmendje të veçantë listën, personazhet e saj konstaton se qëllimi me kryesor i listës është një përpjekje e ulët amorale për të përbaltur njërin prej personaliteteve me te shquara të shkencës shqiptare të të gjitha kohërave, mjekun e shquar me reputacion ndërkombëtar, Prof. Mentor Petrelën. Kurse emrat e ndonjë narko-drejtori të Lal plehut etj, vendosur përbri tij janë thjesht për të maskuar sadopak qëllimin më kryesor të listës.

Kjo goditje hakmarrëse selektive duket se ka në bazë fajin e vetëm të Prof. Petrelës; njohuritë që ai ka, për shkak të profesionit, për shëndetin mendor të autorit të listës, shëndet që tani përflitet gjerësisht në kancelaritë europiane, institucionet dhe takimet ndërkombëtare, përfshirë dhe dje Triesten.

Rama mendon se shkak i kësaj pëshpëritje dhe përfolje nuk janë sjelljet, shpërthimet e tij deliroze, afektive, halucinante me zyrtarë shqiptarë dhe të huaj, por dijenitë e Prof. Petrelës për shëndetin e tij mendor dhe shkelja nga ana e tij e betimit të mjekut, gjë që Prof. Petrela nuk e bën kurrë.

Mirëpo kërkesa publike e Ilir Metës, pas zgjedhjes se tij president, për një kontroll psikiatrik të Ramës por dhe disa takime e vizita diplomatësh ne neuropsikiatri, i kanë hedhur benzinë zjarrit dhe kane bindur gjer në fiksim Ramën se problemi i tij madhor nuk është shëndeti i tij mendor por njohuritë për shkak të profesionit, të kahershme dhe aktuale, të profesor Petrelës, i cili me kushtetutë është i detyruar t’i japë çdo informacion konfidencial presidentit të Republikës në detyrë dhe atij të zgjedhur.

Përveç kësaj, Meta si president, ndonëse me funksione kryesisht ceremoniale, prapë se prapë është kryetar i Këshillit te Sigurisë Kombëtare dhe padyshim shëndeti mendor i kreut të ekzekutivit është një problem madhor për sigurinë kombëtare dhe mund të bëhet në çdo rast çështje parësore në axhendën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Këtu dhe vetëm këtu e ka burimin edhe kërcënimi i Ramës ndaj Metës për t’i prishur ceremoninë e betimit.

Kështu që, duke e listuar Prof. Petrelën në listën e tij të zezë, ai beson se do mund të bëj të pabesueshme apo t’i shpallë së paku në konflikt interesi njohuritë për shkak të profesionit të Prof. Petrelës për shëndetin e tij mendor.

Qëllimi i dytë madhor i listës së zezë Rama është ai që e dinë të gjithë, pra të përdorë pushtetin ekzekutiv, Agaçin e tij, sekretar i përgjithshëm i mafies shtetërore për të linçuar publikisht cilindo që nuk i paguan atij ryshfetin, gjobën apo nuk pranon çdo lloj kërkese antiligjore të tij për të mos hyrë në listën e zezë!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb