TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria i ka kryer detyrat e saj dhe i zbatuar rekomandimet për të çelur negociatat për integrimin në BE.
Në konferencën e sotme për mediat, ku informoi për Samitin e Triestes dhe projektet e radhës të BE-së, Rama tha se tani i takon BE-së të mbajë fjalën.
“Shqipëria i ka plotësuar të gjitha ato që i janë kërkuar. Komisioni e ka dhënë rekomandimin. Kemi kaluar vettingut, zgjedhjet që kaluan u konsideruan si një histori suksesi. I takon BE-së të mbajë fjalën. BE mund të veprojë që të shikojë gishtin kur i tregon hënën dhe mund të nxjerrë gjëra të tjera. E ka bërë edhe herë të tjera dhe me vende të tjera. Ne jemi gati për hapjen e negociatave, i kemi kryer detyrat që na janë dhënë”, theksoi Rama.
Por nëse BE ka një përgjigje negative, kreu i ekzekutivit deklaroi se procesi do të vijojë brenda vendit për ndërtimin e Shqipërisë Europiane.
“Nëse BE do t’i shtyjë përsëri kjo nuk do të na pengojë të shtyjmë më tej procesin sepse për ne procesi i integrimit është një proces për ndërtimin e Shqipërisë evropiane këtu në atdheun tonë. Natyrisht çelja e negociatave stimul i madh por ne do vazhdojmë”, tha ai.
(m.k/BalkanWeb)
