Nga Dr. Jorgji Kote
Nuk është fjala për muajin ku sapo hymë, por për gushtin në retrospektivë në të dyja sistemet politike, atë lindor dhe perëndimor. Gushti në perëndim ka qenë dhe mbetet muaji më i bukur dhe më i plotë i pushimeve, në veçanti për politikanët, biznesin dhe median. Ndërsa në vendet ish-lindore, këto pushime kanë qenë të kufizuara e të shpërndara në të gjithë vitin; sepse në plan të parë dilte puna me dhe pa orar për ndërtimin e socializmit.
Këtë realitet të ndryshëm pata rastin ta ndjej disa dekada më parë kur punoja në tregtinë e jashtme; në ditët e para të muajit gusht 1980 shkuam në Romë për të gjetur blerës për mineralin tonë të kromit, artikulli Nr. 1 i eksportit dhe të ardhurave tona valutore. Ky i fundit ishte bërë “mal” në Portin e Durrësit, për shkak të rënies së ndjeshme të kërkesës dhe të çmimeve të shitjes në tregun ndërkombëtar. Mirëpo, një partner italian tek i cili kishim shumë shpresa ndodhej me pushime në Sardenjë.
Me gjithë kërkesat dhe lutjet tona këmbëngulëse që të vinte në Romë sa për të nënshkruar një kontratë disamilionëshe, ai nuk u “tund” nga ishulli. Na thoshte se gushti për të ishte muaj i “shenjtë”, që mezi e kishte pritur për t’u çlodhur bashkë me fëmijët dhe gruan. Madje na ftoi ne të shkonim atje, gjë që natyrisht ishte e palejueshme për ne, duke u kthyer në atdhe me mision të parealizuar.
Gjithsesi, puna në gusht, aksionet vullnetare, ndihma për fshatin e të tjera si këto në Shqipëri e gjetkë në lindje nuk u bënin dëm të tjerëve. E keqja e madhe ndodhte kur kampi socialist e sidomos ish-BS e më vonë Rusia e shfrytëzonte gushtin për puçe, pushtime dhe aneksime, kur bota perëndimore ishte e “shkrehur” në pushime.
Nisur nga mendimi ogurzi se këto veprime do të kalonin pa vëmendjen e duhur politike dhe mediatike, e sidomos përsa u përket reagimeve ushtarake perëndimore; kjo pasi edhe parlamentet që duhet të jepnin miratimin e tyre për përdorimin e forcës në gusht ishin me pushime. Raste të kësaj natyre mund të gjesh shumë në të gjitha vendet e lindjes. Natyrisht, gjatë muajit gusht kanë ndodhur dhe shumë ngjarje të tjera madhore kudo në botë, por jo të gjitha me këtë motiv. Ndaj, më poshtë po përmendim fare shkurt dhe sipas kronologjisë historike disa prej fakteve më pikante që kanë lidhje me temën tonë.
Analizën e plotë e lexoni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2017/08/02/dossier-gushti-puce-pushime-dhe-pushtime/
