DIBER– Përshkallëzohet situata nga zjarri në fshatin Lanë në Martanesh. Mësohet se flakët e zjarrit po u afrohen banesave, ndërsa janë djegur disa kasolle bagëtish.
Flakët i janë afruar shumë pranë banesave në lagjen ‘Ndërfushas’ dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.
I kontaktuar nga ‘News24’ një nga banorët e zonës tha se janë në rrezik 30 familje, pasi flakët e zjarrit po u afrohen banesave dhe për momentin nuk ka ndërhyrje.
“Gjendja është kritike dhe ne jemi në rrezik. Helikopteri ishte në mëngjes dhe për momentin nuk ka ndërhyrje. Ne jemi afër shtëpisë për të mbrojtur mallin. Jemi rreth 200 metra larg nga zjarri. Jemi rreth 30 familje që jemi në rrezik. Ne e ndjejmë rrezikun nga çasti në çast. Po u rrezikuam do lemë banesat”- tha banori.
Për shkak të terrenit të vështirë, forcat e zjarrfikëses e kanë të pamundur të mbajnë nën kontroll flakët. Gjatë ditës së djeshme zjarri i madh ka detyruar forcat e shpëtimit të evakuojnë 6 familje që banojnë në shtëpitë përreth.
(d.d/BalkanWeb)
