TIRANE- Gjykata e Tiranës ka liruar me kusht Lavdërim Tufën, i dënuar për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si “Miri i Xhikes”. Ngjarje kjo e ndodhur më 29 mars të vitit 2003 në kompleksin “Katodrom 2000”. “Gazeta Shqiptare” mëson se vendimi për lirimin e tij me kusht është firmosur nga gjykatësja Enkelejdi Hajro më 26 mars të këtij viti.
Mësohet se Tufës i kishin mbetur dhe 1 vit e 8 muaj e 10 ditë burg pa vuajtur. Sipas gjykatës, Lavdërim Tufa nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale brenda një afati prej 4 vitesh. Ndërsa, detyrohet që gjatë kohës së provës të ushtrojë veprimtarinë profesionale, si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës. “Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të dënuarit Lavdërim Tufa nga IEVP Fier, në qoftë se nuk mbahet i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në vendim, ndërsa gjykata i ngarkoi të kërkuarit edhe shpenzimet e gjyqit. Po sipas vendimit të gjykatës, Tufa akuzohej për vrasje në rrethana të tjera cilësuese në dëm të shtetasve Fatmir Rama, Julian Durishti, Kristaq Cani, ndërsa ka plagosur shtetasin Fatmir Rrapaj.
Fillimisht Gjykata e Krimeve të Rënda (në vitin 2006) e deklaroi fajtor atë dhe e ka dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli i Krimeve të Rënda, në vitin 2007 vendosi ta lërë në fuqi këtë vendim. Gjykata e Lartë, në shkurt të vitit 2009, prishi vendimin dhe e delegoi çështjen sërish në Apelin e Krimeve të Rënda. Apeli i Krimeve të Rënda në muajin maj 2009 vendosi të prishë vendimin e burgut të përjetshëm dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Prokuroria i bëri rekurs këtij vendimi, por Gjykata e Lartë në shtator 2009 vendosi të mos e pranojë kërkesën. Më pas, çështja i kaloi në kompetencë Gjykatës së Tiranës, e cila e dënoi me 20 vjet burg.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
