Shqiptari Alket Rizai, i burgosur në Greqi dhe i cilësuar si mjaft i rrezikshëm pasi tentoi të arratisej me helikopter nga burgu i sigurisë së lartë në Koridhalo, tani do të mbahet mend edhe për një gjest bamirësie.

Shqiptari i njohur jo pak për bamat e tij në shtetin helen i është përgjigjur thirrjes për ndihmë të familjes së një vajze 8 vjeçare nga Kreta, Evangelia Kastrinakis e cila vuante nga kanceri dhe duhet të kurohej.

Pas thirrjes së familjes së saj për ndihmë financiare për ta çuar vogëlushen në një qendër të posaçme në Londër, mijëra ishin ata që u sensibilizuan, përfshi këtu edhe shqiptarin Alket Rizai.

Vogëlushja do t’i nënshtrohet një operacioni shumë të kushtueshëm e të vështirë në Londër, ku u nis sot, mundësuar nga donacionet e shumë personave të prekur nga historia e saj e dhimbshme.

Gjyshi i vajzës së vogël, George Kastrinakis ka deklaruar se midis atyre që kanë dhënë para për kurimin është edhe Alket Rizai me shokët e tij të burgut.

Gjykata greke e Lamias e ka dënuar më 21 tetor 2016, Alket Rizain me 10 vite e 8 muaj burg për akuzën e mbajtjes peng të 5 zyrtarëve të Burgut të Malandrinos, në Fokidha të Greqisë qendrore, më 17 mars të vitit 2013, bashkë me dy bashkëpunëtorë të tij me qëllim që të arratiseshin.

Në gjyqin e zhvilluar në Lamia, Rizai, i njohur në Greqi për arratisjet e tij të bujshme, sidomos ajo me helikopter nga Burgu i Korridhalosë, ka pohuar para trupit gjykues se nuk kishin ndërmend që të plagosnin apo vrisnin punonjësit e burgut që morën peng, ndërsa ka thënë gjithashtu se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, që po i konsumonte për herë të parë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb