BELGJIKE- 31- vjeçari shqiptar Niko K., apo siç njihen me emrin e vërtetë, Kreshnik Gjini që u ekzekutua në Belgjikë me dy plumba, nga persona ende të paidentifikuar mëngjesin e së martës në Saint-Denis në komunën e Forestit, ishte kamarier në një kafene.
Kolegia e tij mësohet të jetë dëshmitare okulare në ngjarje dhe thotë se Nikon e kanë qëlluar dy persona të maskuar.
“Në punë ai ishte një djalë simpatik dhe gjithmonë ishte korrekt. Por, natyrisht nuk e di se çfarë ka ndodhur në jetën e tij private. Unë e di se familja e tij është në Shqipëri dhe ai aty e kishte zemrën gjithmonë dhe donte të kthehej. Dyshoj se ngjarja ka lidhje me ndonjë mosmarrëveshje. Nikon e shikoja si djalin tim”,- tha ajo para hetuesve.
31-vjeçari, i cili në Belgjikë përdorte emrin Niko K., mbrëmjen e së dielës ka qenë në një festë me kolegen e tij në një lokal në Faubourg në Saint-Denijsplein. Aty ai pati edhe kërcimin e tij të fundit, shkruajnë mediat belge.
“Ne po kërcenim dhe Niko më tha se do të ishte mirë sikur ai të arrinte të kuptonte se çfarë donte. Ndoshta ndiente diçka”, tha Liliane.
Për kolegen dhe eprorin në punë të 31-vjeçarit, ka vetëm pikëpyetje në lidhje me vrasjen e tij. Sipas tyre, ai ishte shumë i sjellshëm në punë dhe nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme.
Edhe hetuesit, sipas mediave, dyshojnë që krimi të ketë lidhje me një hasmëri të vjetër mes viktimës dhe disa shqiptarëve.
Hetuesit kanë gjetur në vendngjarje dy gëzhoja të shkrehura nga arma me të cilën u vra 31-vjeçari. Gëzhojat dhe provat e gjetura në vendngjarje janë dërguar në laboratorin e policisë federale për t’u ekzaminuar. “Viktima vdiq në vend, pas dy të shtënave që ai mori”, tha zëdhënësi i zyrës së prokurorit publik të Brukselit, Ine Van Ëymersche, në një deklaratë, raporton “BalkanWeb”.
(m.a/BalkanWeb)
