SHBA- Ka shkuar në 600, numri i përdoruesve të iPhone 6 dhe 6 Plus të cilët janë ankuar për gërvishtje të telefonave të tyre. Ata kanë sqaruar se ekranet e iPhone 6 dhe 6 Plus gërvishten shumë lehtë krahasuar me paraardhësit e këtyre dy llojeve të prodhuar nga kompania Apple.
Këto ankesa janë bërë në forumin e Apple-it mbi mbështetjen e klientit. Disa madje kanë raportuar se telefoni i tyre është gërvishtur që ditën e parë që e kanë blerë. Prodhimi i paktë i xhamit prej safiri detyroi Apple-in të rimodelojë ekranin për dy modelet e reja, ku është hequr një segment nga anësoret, i cili ofronte në një farë mënyre mbrojtje të ekranit. Ka mundësi që ky problem të shkaktohet edhe nga xhami i lakuar i pajisjeve, duke bërë që ekrani të gërvishtet lehtësisht.
Gjatë prezantimit të këtyre telefonave inteligjentë, Apple nuk siguroi që do të zëvendësonte pajisjet e saj nëse gërvishten, kështu që nuk do të gjeni zgjidhje mbi këtë problem nëse shkoni tek dyqanet e Apple.
(m.k/BalkanWeb)