Kamza, pas pushimit të së dielës, iu rikthye stërvitjeve duke lënë pas atë humbje në ndeshjen e parë ndaj Kukësit. Ajo ka nisur me një analizë të thellë të këtij takimi, e cila ka zgjatur rreth një orë. Për të analizuar ndeshjen e parë të kampionatit kishte ardhur edhe vetë kryebashkiaku Xhelal Mziu, i cili ka qenë që në momentin e parë të saj.

“Deri në minutën e 55-të, skuadra e Kamzës ka luajtur shumë mirë dhe kam qenë i kënaqur nga loja e saj, ndërsa më pas nuk e kuptova pse ra aq shumë loja e ekipit tonë. Ne duhej ta shfrytëzonim lojën e dobët të ekipit kundërshtar dhe nuk duhej të dilnim pa pikë që andej”, ka thënë Mziu para lojtarëve.

Duke vijuar, ai u tha lojtarëve: “Halili, ke parë që një kryetar bashkie të vijë në analizën e ekipit meqë je lojtari me përvojë të gjatë. Prandaj jam këtu, për t’iu treguar se më keni mbështetje gjatë gjithë sezonit. Ndihmesa nga ana jonë nuk do t’u mungojë, ndërsa detyra juaj është të plotësoni objektivat që ne i kemi vënë vetes për këtë sezon”, ka përfunduar Mziu.

Ndreu

Më pas, trajneri Ramadan Ndreu analizoi të gjitha momentet se ku kanë gabuar lojtarët e tij.

“U munduam të zhvillonim një lojë defensive ku edhe formacioni ishte i ndërtuar i tillë. Gjithsesi, linja e krahut të majtë u prish në momentet e pjesës së dytë pas futjes në lojë të Aljevit dhe e gjithë barra e lojës mbeti te Neziri, i cili veproi shumë mirë gjatë pjesës së parë duke e kryer detyrën shumë mirë.

Cilësitë e Zefit nuk vihen në diskutim, por për të ishte një mision i pamundur, duke mos funksionuar si duhet bashkëpunimi me lojtarët e krahut tjetër. Po kështu patëm gabime në mbrojtje, ku sulmuesit kundërshtarë shpeshherë gjenin hapësira nga ku erdhi dhe momenti i penalltisë që na ndëshkoi.

Mesfusha nuk funksionoi si duhet, po ashtu edhe sulmuesit nuk ishin në formën e duhur, si Fukui apo Plaku e më pas Raçiçi, të cilët mund ta kishin zgjidhur situatën që në pjesën e parë me dy rastet e pastra për shënim. Në përgjithësi u paraqitëm mirë, por edhe kondicioni fizik mungonte te disa lojtarë, ku u panë shenja lodhje.

Ne duhet t’i eliminojmë këto mangësi që u vërejtën duke korrigjuar gjatë kësaj jave në stërvitje dhe më pas të hënën, në ndeshjen me Skënderbeun. E di që kemi një kalendar kapriçioz, por gjithsesi ne duhet t’i konsiderojmë të gjitha ekipet të forta, si me skuadrat pretendente, po ashtu edhe me ekipet konkurrente.

Nuk kemi skuadër të lehtë apo ekip të fortë. Futbolli ndaj është dhe i bukur se ka këto çaste emocionale, por ndonjëherë për ekipin tonë emocionohemi më tepër nga ç’duhet dhe mund të gabojmë në konkluzione, por e rëndësishme është që ne t’i marrim në konsideratë gabimet tona e t’i korrigjojmë në ndeshjen e ardhshme”, ishin fjalët e trajnerit Ndreu gjatë analizës së djeshme. Më pas folën edhe lojtarët./panoramasport/

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: