NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Shifrat e INSTAT tregojnë se në një periudhë pesë vjeçare deri në fillim të këtij viti popullsia shqiptare ka shkuar drejt rënies me 26 mijë banorë. Në këtë zvogëlim të numrit të popullsisë sipas zyrës statistikore ka ndikuar kryesisht largimi i të rinjve në emigracion si dhe ulja e lindjeve. Shqetësues shihet në këtë raport edhe projeksioni për të ardhmen, ku parashikohet që numri i popullsisë kryesisht në veri të vendit të ulet me 30% deri në vitin 2031.

Largimi i të rinjve shqiptarë ndaj vendeve të Europës është shtuar ndjeshëm gjatë vitit 2014. Të ikurit në raport me të kthyerit janë 2 mijë më shumë se, ne vitin 2013. Ndërkohë që pritet të thellohet edhe më shumë me lëvizjet masive të periudhës së fundit. Kjo situatë  jo e zakonshme po e çon popullsinë vendase drejt plakjes.

Në raportin vjetor statistikor rajonal të INSTAT thuhet se popullsia e Shqipërisë ka ardhur duke u zvogëluar në dekadën e fundit. Në këtë rënie të popullsisë sipas zyrës statistikore ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme emigracioni, i cili vijon të mbetet negativ. Nga 1 Janari 2010 deri në 1 Janar të 2015 popullsia e vendit tonë është zvogëluar me rreth 26 mijë banorë, ose një normë rënieje me 0.2 % në çdo vit. Ky rezultat vjen kryesisht nga dy faktorë, shtesës natyrore të popullsisë dhe migracionit neto.

Migracioni luan një rol shumë të rëndësishëm në dinamikën e popullsisë, ku Shqipëria vazhdon dhe do të vazhdojë të përjetojë flukse dalëse të popullsisë thuhet në raport.

Shtesa natyrore ose lindjet edhe pse vijojnë të jetë pozitive nuk mund të plotësojë boshllëkun që shkakton migracioni neto.

Në vjetarin statistikor të 2015-ës sipas INSTAT edhe projeksionet për një periudhë afatgjatë të popullsisë së Shqipërisë flasin për një rënie të ndjeshme të saj në shumicën e qarqeve. Përveç Tiranës, Durrësit dhe Vlorës ku parashikohet një rënie me 3% e popullsisë, në qarqet e Kukësit dhe Dibrës në veri të vendit dhe në atë të Gjirokastrës në Jug ulja e numrit të popullsisë do të jetë më e shpejtë. Në këto qarqe popullsia pritet të zvogëlohet me rreth 30 përqind deri në vitin 2031.

 

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: