Shqipëria mundet në “Elbasan Arena” nga Zvicra në futbollin e femrave 1 me 4, në një përballje që foli pothuajse krejtësisht për miqtë. Zvicerianet mbyllën gjithçka që në pjesën e parë, teksa shënuan tri herë në portën e Zanit, duke e “vrarë” shumë shpejt sfidën. Në të dytën ka kohë edhe për dy gola të tjerë, një për ekipin tonë me parabolën e shënuar nga Begolli, e cila shënoi edhe gëzimin e vetëm në këtë përballje të parë të eleminatoreve të kupës së Botës në futbollin e femrave.

PJESA E PARË – Janë miqtë nga Zvicra ato që marrin në dorë lojën, të cilat hidhen menjëherë në sulm. Që në minutat e para nis bombardimi i portës së Zanit, por gjithsesi për minuta të tëra Kombëtarja jonë mbrohet mirë dhe e mban rrjetën të paprekur. Gjithsesi, goli ishte çështje minutash dhe në të 23′ është pikërisht Bruner që e dërgon topin në rrjetë, pas një goditje nga jashtë zone. 0 me 1 dhe miqtë janë më të qetë në lojën e tyre pas zhbllokimit të rezultatit. Ndërkohë, Shqipëria has vështirësi për të dalë nga fusha e vet dhe nuk e vë asnjëherë në vështirësi portieren mike. Në të 39′ është Bachman që provon me një goditje perfekte nga jashtë zone dhe i dërgon shifrat në 0 me 2. Kur u mendua se Shqipëria do ia hidhte paq me vetëm dy gola pjesën e parë, zvicerianet trefishojnë shifrat në të 41′ me anë të Dickenmann që nuk gabon nga pika e bardhë e penalltisë.
kombetarja 2
PJESA E DYTË – Me një avantazh të trefishtë dhe fitoren e hipotekuar, miqtë nga Zvicra e ulin ritmin dhe mjaftohen me qarkullimin e topit, duke mos tentuar shumë në portën e mbrojtur nga Zani. Për minuta të tëra mungojnë rastet e shënimit dhe loja bëhet e mërzitshme. Goli i katërt për miqtë do të shënohej në minutën e 67′ nga ana e Dickenmann, e cila godet fuqishëm në zonë dhe Zani e ka të pamundur të evitojë golin. Sërish edhe në këtë pjesë janë miqtë që dominojnë me raste të shumta, por edhe Shqipëria jep shenja jete. Fillimisht është Karasniqi që godet tranversën pas një krosimi dhe më pas nëntë minuta nga fundi Begolli shënon golin e nderit. Një dalje e gabuar e portieres mike, i jep mundësinë Begollit të përfitojë duke shënuar me anë të një parabole dhe i dërguar shifrat në 1 me 4. Ka entuziazëm në shkallët e stadiumit, edhe pse ishin pak tifozë për ta parë ndeshjen nga afër. Deri në fund nuk ka ndryshim rezultati dhe sfida mbyllet në shifrat e thella 1 me 4, me Shqipërinë që e pati të pamundur të bënte diçka më shumë në mëtë përballje të parë të këtyre eleminatoreve të botërorit.

ARMIR GRIMA – “Pjesën e parë u duk sikur presioni ishte në krahun tonë dhe jo në atë kundërshtarëve, pasi vajzat ishin të ndrydhura në lojë. Në të dytën ndryshuam diçka dhe bëmë një paraqitje më të mirë. Nuk mund të them se mundësitë tona ishin kaq sa vëmë në këtë ndeshje, pasi siç e thashë mund të bënim më mirë në të parën. Mund të qarkullonim pak më shumë topin dhe të mos mendonim vetëm për t’u mbrojtur dhe thyer aksionet e kundërshtarëve. Nota? Nuk u vë nota negative vazjave, pasi e kam thënë që ne e dimë se kush jemi dhe cilët janë kundërshtarët. Në duhet të paraqesim futbollin tonë. Në lidhje me vendin e fundit në grup besoj se nuk do të jemi atë në fund të eleminatoreve. Pas tri ditësh shkojmë në Bjellorusi dhe do të mundohemi të ndryshojmë diçka për të bërë një paraqitje më pozitive”.- Nga Fatmir Popja

GOLAT: Begolli 81’/Brunner 23′, Bachmann 39′, Crnogorçeviç 41′ (11-m), Dickenmann 67′

SHQIPËRIA: Zani, Rrahmani, Bajraktari, Jashari (Kurbogaj 59′), Begolli, Bajramaj, Doçi, Gjini, Franja, Maliqi, Krasniqi (Domi 71′. Trajner: A. Grima

ZVICRA: Thalmann, Brunner, Maritz (Stierli 65′), Reuteler (Ismaili 46′), Zehnder, Crnogorçeviç, Bachmann, Dickenmann, Ualti, Kivic, Aigbogun (Terchoun 46′).

Trajnere: M. Vos-Tecklenburg

GJYQTARË: Amy Rayner, Suan Massey, Natalie Aspinall (Angli)/ Emanuela Rusta (Shqipëri)

VËZHGUESE: Vibeke Karslen (Norvegji)

DELEGAT: David Delferiere (Belgjikë)

(e.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb