KUKES- Një ditë të ngjeshur me veprimtari dedikuar trashëgimisë kulturore, ka organizuar Bashkia Kukës më 29 shtator, e shënuar si Dita Kombëtarë e Trashëgimisë Kulturore, me synim promovimin e vlerave, ndërgjegjësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Dewi Van de Werd, e cila përgëzoi iniciativën e Bashkisë Kukës për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe turizmit duke nënvizuar se turizmi në Shqipëri, po merr një hov të madh zhvillimi.
Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu në fjalën e tij tha se promovimi i vlerave dhe trashëgimisë kulturore është një ndër prioritetet e Bashkisë edhe si pjesë e strategjisë për zhvillimin e turizmit.
Ndërsa Luan Përzhita, Drejtues i Institutit të Arkeologjisë duke theksuar rëndësinë e zonës së Kukësit në arkeologji e trashëgimi kulturore, për të pranishmit në aktivitet bëri një përmbledhje të historikut të qytetit të Kukësit dhe zonave të pellgut të Drinave.
Ky aktivitet në funksion të ruajtjes së trashëgimisë historike e kulturore të Kukësit u organizua nga Bashkia Kukës në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë.
(el.sp/BalkanWeb)
