TIRANE- Presidenti Ilir Meta ka mbledhur sot në një takim Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Mbledhja e sotme nisi me njohjen e anëtarëve të KLD, mbi takimet dhe hapat e ndërmarra nga Grupi i Punës, që KLD ngriti mbledhjen e kaluar me qëllim rakordimin dhe miratimin e akteve të përbashkëta, me institucionet e ngarkuara nga ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve.

Grupi i punës informoi anëtarët e Këshillit se gjatë takimeve me institucionet përgjegjëse për zbatimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve është rënë dakord të përcaktohen rregullat e detajuara për shortin, si dhe në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit do të procedohet për përfundimin e tyre, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me partnerët ndërkombëtarë të reformës.

Bazuar në konkluzionet e takimeve, Grupi i Punës informoi anëtarët e KLD-së, se është rënë dakord që të vijohet bashkëpunimi i ngushtë me institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, për të siguruar zbatimin efektiv dhe unifikues të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve.

Në këtë kuadër, Grupi i Punës do bashkëpunojë edhe me prokurorinë për të siguruar, për aq sa është e mundur, krijimin e të njëjtës praktikë pune.

“Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli vijoi me shqyrtimin e projekt-akteteve përfundimtare të vlerësimit, të përgatitura nga Kryeinspektori i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr.261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve””, thuhet në njoftimin e KLD.

Në përfundim të këtij shqyrtimi, si dhe pas vlerësimit të ankimeve përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për disa gjyqtarë. Gjithashtu, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb