TIRANË- Julian Sula, një biznesmen i vogël në qytetin e Lushnjes është vënë në qëndër të vëmendjes pas masakrës së pak ditëve në parë, aty ku u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, miq të nipit të Aldoi Bares.
“BalkanWeb” ka mundur të sigurojë sot dëshmi nga njerëz shumë të afërt me Sulën që përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së tij në atentatin ku u vranë dy të rinjtë, ndonëse ishte në mesin e 400 personave që policia thirri për të marrë në pyetje për ngjarjen.
Ditën e atentatit policia i bastisi shtëpinë, ndërsa një ditë më vonë shkoi vetë në polici për të dëshmuar pasi para një viti e gjysëm, siç mëson “BalkanWeb” Julian Sula u plagos pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh, në lagjen “Skënder Libohova”. Lokali në fjalë ishte në pronësi të Arjan Aliços, një 53-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihet si një nga ushtarët e Aldo Bares. Arjan Aliçko njihet ndryshe edhe me nofkën “Ardi i Braçes” në Lushnje dhe që pas ngjarjes ndodhet në arrati.
“BalkanWeb” mëson gjithashtu se ndonëse u qëllua me levë e thika nëpër trup, aq sa u la si i vdekur, Sula nuk përmendi kurrë emrin e ushtarit të Aldo Bares si autor.
Në lidhje me vrasjen ai ka thënë të mos ketë dijeni. Aktualisht në Komisariatin e Lushnjës nuk ka asnjë person të ndaluar për këtë ngjarje, ndonëse janë pyetur mbi 400 persona, që janë kontingjent për policinë.
NGJARJA
Pasditen e 11 tetorit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit” në Lushnjë, u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, si dhe u plagos miku i tyre Marius Xhepexhiu, ndërsa i shpëtoi mrekullisht plumbave Saimir Xhelili. Policia thotë se ka identifikuar autorët, ata dyshohet të jenë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Hetuesit besojnë se masakra vjen si pasojë e hakmarrjes midis grupeve rivale. Por ka dyshime për atentat të organizuar. Autorët pasi vranë të rinjtë, deshën të zhduknin gjurmët dhe dogjën makinën pranë fshatit Çukas në rrugën e vjetër Lushnjë-Berat.
(m.a/BalkanWeb)
