Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE-Zbulohen rrugët përmes të cilave droga është trafikuar nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit. Ministria e Brendshme ka publikuar ditën e djeshme hartën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt shteteve të Ballkanit dhe Europës. Nga harta e bërë publike ditën e djeshme përmes buletinit mujor të ministrisë me të gjithë treguesit kriminalë për muajin tetor, kuptohen të gjitha rrugët tokësore dhe ujore nga të cilat droga është trafikuar nga Shqipëria drejt shteteve të tjera. Një fakt që bie në sy teksa shikon ketë hartë është se përgjatë muajit tetor droga shqiptare nuk ka kaluar as në Kosovë dhe as në Maqedoni, por në destinacione të tjera.
Rrugët
Për muajin tetor, lënda narkotike e të gjitha llojeve është trafikuar përmes rrugëve të ndryshme drejt vendeve me të cilat kufizohet vendi ynë. Një nga destinacionet që është zgjedhur të paktën në dy raste për trafikimin e drogës është Italia, ku përmes hartës duket qartë se në një rast sasia e lëndës narkotike është nisur nga Durrësi me destinacion shtetin fqinj. Ndërsa në rastin e dytë, droga është nisur nga Vlora dhe përmes kanalit të Otrantos ka kaluar drejt brigjeve italiane të Leçes. Por jashtë trafikut të lëndëve narkotike nuk kishte se si të lihej shteti grek, ku edhe në këtë rast janë shënuar dy raste të trafikimit të drogës drejt këtij shteti. Në rastin e parë, droga ka kaluar nga Korça, nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës drejt Greqisë dhe në rastin e dytë, lënda narkotike është transportuar nga Gjirokastra përmes pikës kufitare të Kakavijës. Por, sipas hartës të publikuar nga Ministria e Brendshme, destinacion për trafikimin e drogës ka qenë edhe Korfuzi. Rrugët tokësore dhe ujore për të kaluar lëndën narkotike janë përdorur edhe në pjesën veriore të Shqipërisë, ku droga ka kaluar nga Shkodra drejt Malit të Zi. Por, ajo që bie në sy nga kjo hartë është fakti se në asnjë rast për muajin tetor lënda narkotike nuk është trafikuar as në drejtim të Maqedonisë dhe as në drejtim të Kosovës.
Statistika
Sipas buletinit të ministrisë, për muajin tetor në sektorin e narkotikëve janë evidentuar 111 vepra penale nga të cilat 6 janë shënuar për trafikim të lëndëve narkotike, 93 për prodhim dhe shitje të drogës dhe 11 për kultivim të bimëve narkotike. PO gjatë muajit tetor, për këto vepra penale janë 138 persona të dyshuar, 91 të tjerë janë arrestuar, 7 janë shpallur në kërkim dhe 40 hetohen në gjendje të lirë. Ndërkaq, nga operacionet policore përgjatë muajit që lamë pas, në total janë sekuestruar rreth 14 kilogramë heroinë, rreth 1 ton e gjysmë hashash, si dhe janë asgjësuar 350 rrënjë bimë narkotike.
Vrasjet
Numri i vrasjeve në vendin tonë gjatë muajit tetor është ulur me 66,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe numri i vjedhjeve me armë është ulur me 71.4 për qind, ndërsa, numri aksidenteve është zvogëluar me 11%. Sipas buletinit të ministrisë, rastet e shkatërrimit të pronës me eksploziv gjatë tetorit 2014 janë ulur me 61.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
(a.n/BalkanWeb)
