Në një deklaratë për shtyp Lulzim Basha, tha se sot ra drejtësia dhe se Rama e Tahiri “dhunuan” prokurorët. Pas shtyrjes së vendimit të Këshillit të Mandateve për Saimir Tahirin, Basha e cilësoi këtë një rënie të fasadës së drejtësisë.

“Rama e Tahiri janë një. Ata kanë ndarë paratë e krimit dhe pushtetin. Prandaj Rama do e mbrojë deri në fund. Siç u pa sot, Xhafaj, Ruçi, Rama do tentojnë të sulmojnë e blejnë prokurorinë, gjykatat. Sot ra fasada e drejtësisë. Sot Tahiri, Xhafaj e Rama ushtruan dhunë ndaj prokurorëve dhe drejtësisë. Sot e pamë lakuriq mashtruesin që shtiret për drejtësi,” tha ai.

Kreu i PD u shpreh  se tashmë ish-ministri i Brendshëm ka pasur shumë kohë të përdorë të gjitha klanet e tij mafioze për të pastruar të gjitha provat që implikojnë atë.

“Tahiri i ndihmuar nga klanet mafioze e vetë qeveria ka pasur kohë të pastrojë një qytet të tërë, e jo më shtëpinë e tij. Pasi kanë provuar gjobat, t’i prishen shtëpitë, bastisjen e bizneseve, qytetarët ndihen të skandalizuar në këtë vend. Drejtësia mund të vonojë por nuk do të mungojë. As Rama e as Tahiri nuk do t’i shmangen drejtësisë,” tha ai.

 (e.f/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: