TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar çdo lidhje farefisnie me tre prokurorët që bënë mbrojtjen e akuzës ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores. Duke iu përgjigjur akuzave të dala në media se tre prokurorët nga Tropoja, ishin kushërinj të tij dhe djalit të tij, Berisha tha sot në “Studio e Hapur” në News24 se ka lidhje me ta, aq sa ka lidhje me bashkëshorten e ish-ministrit Saimir Tahiri që quhet Fatlinda Berisha dhe është nga Kosova.

Berisha: Sali Berisha ka lidhje me tre prokurorët, aq sa ka lidhje me zonjën Tahiri që është nga Kosova. Zero lidhje! Ky është vetëm geni primitiv i krahinorizmit të Edi Ramës ku si i mbytur kërkon të mbështetet. Asnjë lloj lidhje me të, përveçse janë nga Tropoja. Si e shoqja e Saimirit. Ky është Noriega. Noriega gjeti si pretekst se këta qenkan kushërinj të mi. Njëri kushëri i im, tjetër i djalit.

Sulo: Operacioni në Babicë, ju publikuat i pari videon. Ka një akuzë se videon ua ka dhënë prokurori?

Berisha: Absolutisht jo, nuk ma ka dhënë prokurori. Burimi tjetër krejtësisht dhe jo prokuror. Është hera e parë që dëgjoj për atë prokuror. Vladimir a si. Asnjëherë, asnjë prokuror. Ajo ishte rezervati i Habilajve dhe u kapën 4 ton, 20 mln euro. U shemb toka aty dhe tani na pengoi ky, na prishi operacionin.

Sulo: A e dekonspiruat operacionin?

Berisha: Aksioni atyre, u plasi bomba në dorë. Ai ishte një operacion i organizuar nga Shërbimi i fshehtë që s’ka fuqi zbatuese por prokuroria ka grupin e vet dhe mori dhe policinë.

Rakipllar: I kishte denoncuar Xhafaj?

Berisha: Xhafaj ndaj kësaj bande nuk kishte si të mos reagonte. Çfarë është ai njoftimi që thotë ky “Loloja”, ku thotë se po vrapoj në Tiranë. E dini besoj apo jo? Përgjimi! Ishte kohe e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, dhe beteja bëhej midis lojërave të fatit të “Apex”, të vëllait të Fatmir Xhafajt dhe lojërave të fatit të Habilajve. Mirëpo u duk sikur “Apexi”, po favorizohej dhe po rezistonte. Dhe Habilajt erdhën me vrap te Tahiri duke i thënë se Xhafaj po na asgjëson. Dhe Saimir Tahiri hyri dhe bëri ekuilibrin midis tyre. I la që të dyja palët e qeta që të vazhdonin.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: