Nga: AURORA KOROMANI*TIRANE-Akademia e Policisë, për të cilën është premtuar se do të hapë dyert e saj në shtator të këtij viti, do të ofrojë edhe specializime dhe kualifikime për institucione të tjera të zbatimit të ligjit. këtu do të përfshihen edhe kualifikimet dhe specializimet për oficerët e Ministrisë së Mbrojtjes, që deri dje i ofronte ky institucion, si edhe për persona fizikë e juridikë në fushën e rendit e të sigurisë publike. Burime pranë akademisë sqarojnë se kanë nisur marrëveshjet me Ministrinë e Arsimit, në mënyrë që të përfundojnë kurrikulat për mësimdhënien në institucionin që në shtator do të funksionojë si shkollë e lartë.

Akademia e Policisë nuk do të jetë më kurs 6-mujor, por që nga muaji shtator pritet që të kthehet në një universitet, ku 3 vjet do të zgjasin studimet dhe 2 vite do jetë specializimi. Nga ana tjetër, mësohet se Akademia e Policisë pas funksionimit të saj si një universitet, do të njohë dhe ekuivalentojë edhe diplomat, dëshmitë dhe certifikatat e përftuara në institucionet brenda dhe jashtë vendit në fushën e rendit dhe sigurisë. Një gjë të tillë e parashikon edhe ligji i ri i Policisë së Shtetit, i cili ka hyrë në fuqi në fillim të marsit. “Njohja dhe ekuivalentimi i diplomave për shtetasit që kanë përfunduar studimet jashtë shtetit në fushën e rendit dhe sigurisë publike bëhen sipas legjislacionit për arsimin e lartë”, thuhet në ligjin e ri të uniformave blu. Por, të njëjtat burime sqarojnë se për organizimin dhe funksionimin e Akademisë së Policisë pritet që shumë shpejt të dalin edhe vendimet e Këshillit të Ministrave.
KRITERET PËR PRANIM
Për të gjithë aplikantët që do duan të kandidojnë për të vazhduar studimet e larta në sektorin e rendit duhet që më parë t’i nënshtrohen një konkurrimi të hapur. Por, para se të behën pjesë e këtij konkurrimi, duhet të plotësojnë disa kritere. Në ligjin e ri të Policisë së Shtetit, përcaktohen edhe dokumentet që duhet të kenë aplikantët për në Akademinë e Policisë, si dhe kriteret që duhet të plotësojnë. “Aplikanti duhet që: të jetë shtetas shqiptar, të mos jetë i përjashtuar nga policia apo të jetë larguar nga shërbimi civil, të ketë zotësi të plotë për të vepruar, të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën, të ketë mbaruar arsimin e mesëm, të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur, të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje si dhe të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B”, citohet në ligjin e Policisë së Shtetit. Aty citohet se rregullorja e brendshme e Akademisë së Policisë do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: