NGA ANILA JOLE*
GREQI- Gazeta greke “Kathimerini” ka analizuar qëndrimet dhe deklaratat e fundit te kryeministrit Rama, veçanërisht ato lidhur me bashkimin Shqipëri-Kosovë. Sipas analistit të njohur për çështjet e Ballkanit Stavros Tzimas, me deklaratat nacionaliste kryeministri shqiptar ka zhgënjyer ndërkombëtarët që besuan dhe investuan te ai si një lider perëndimor që do të udhëhiqte Shqipërinë në familjen europiane:
“Edi Rama hyri në skenën politike të Shqipërisë me kurorën e një lideri modern. Si kryetar i bashkisë së Tiranës tregoi se kishte ide të reja dhe një vizion europian. Shumë besuan dhe në veçanti europianët dhe amerikanët se më në fund u gjet lideri që do t’ë ndryshonte imazhin e Shqipërisë”, shkruan Tzimas. Sipas shkrimit, vendi kishte nevojë të udhëhiqej nga një person publik me një kulturë tjetër politike, pasi ndërkombëtarët ishin lodhur duke i tërhequr vëmendjen Berishës sa herë ky i fundit delironte i frymëzuar nga “Shqipëria e Madhe” apo “Natyrale”.
Investuan tek Edi Rama me besimin se ai do të udhëhiqte përpjekjen që “vendi i shqiponjave” të hapte një faqe të re. U zhgënjyen të gjithë. Jo vetëm që mbetën në baltë premtimet për modernizimin e shtetit dhe shoqërisë, por Edi Rama rreh në të njëjtën hava të konfliktit politik dhe nacionalizimit. Kur rrëmbehet në parlament me kundërshtarët e tij politikë si në një atmosferë rruge, ky është problem i shqiptarëve që durojnë dhe pranojnë të tilla fenomene. Por kur ndërhyn me predikime për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, duke kërcënuar se “kjo do të ndodhë ose si një proces i kuptueshëm në kuadrin e integrimit të dy vendeve në Bashkimit Europian ose do të realizohet si një reagim ndaj verbërisë dhe plogështisë së Bashkimit Evropian” atëherë ai bëhet i rrezikshëm për stabilitetin rajonal.
Me tej shkrimi vijon me fjalët: “Nuk mundet që një kryeministër të jetë injorant në histori, se nëse për t’u hakmarrë ndaj europianëve shkrin kufijtë dhe bashkohet me Kosovën dhe komuniteti ndërkombëtar e pranon, pse mos ta bëjnë këtë edhe shqiptarët e Maqedonisë, serbët e Veriut të Kosovës apo serbët e Bosnjës dhe Kranjës të krijojnë Serbinë e Madhe? Pse mos të kërkojnë edhe grekët e jugut të Shqipërisë të bashkohen me Greqinë, e kështu me radhë? Ndoshta Rama nuk po e kupton që luan me zjarrin dhe se me të tilla krekosje nuk hyn kurrë në Bashkimin Evropian” përfundon Kathimerini.
(m.k/BalkanWeb)