NGA: KLODIANA LALA* TIRANE- Autoritetet e drejtësisë italiane kërkojnë nga Shqipëria t’u dorëzojë Alban Elezin, i dyshuar si pjesëtar i një celule terroriste që rekrutonte besimtarë për xhihad luftarak. Pak ditë më parë, në Ministrinë e Drejtësisë mbërriti nga vendi përtej Adriatikut, kërkesa për ekstradimin Elezit, pasi ndaj tij me një vendim të datës 26 shkurt 2015, gjykata e Apelit në Breshia ka caktuar masën e sigurimit arrest me burg, për akuzën e “Rekrutimit me qëllim terrorizmin dhe në kuadrin ndërkombëtar”.

Pas marrjes së kësaj kërkese, Prokuroria e Kavajës i është drejtuar gjykatës me kërkesën për lejimin e ekstradimit drejt Italisë të të dyshuarit Elezi, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Rrogozhinës, në pritje që drejtësia të vendosë për fatin e tij. Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën me referencë MA-6159-SN, dt.03.04.2015 të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Italisë, për ekstradimin nga Shqipëria drejt Italisë, të shtetasit shqiptar Alban Elezi, lindur dhe banues në fshatin Synej, Kavajë.

“Gjykata e Apelit të Breshia-s, Itali, në dt.26.02.2015, ka lëshuar urdhrin e arrestit me burg për shtetasin Alban Elezi, në kuadër të procedimit penal nr.22781/2013 RGNR dhe nr.20945/14 RG. GIP, për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 110, 56 dhe 270 të K.Penal italian. Me shkresën Nr. 2694kl/5 Prot. LA 69/2015, date 25.03.2015 Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ka përcjellë aktet lidhur me kërkimin ndërkombëtar të shtetasit shqiptar Alban Elezi, pasi ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtesisë mbi bazën e vendimit Nr. 22781/13 RGNR – n.20945/14 R.G.GIP. datë 26.02.2015 të Gjykatës së Apelit Breshia, Itali, sa më lart”, thuhet në kërkesën drejtuar gjykatës. Mandej theksohet se mbi bazën e urdhër-arrestit, Alban Elezi është arrestuar nga policia dhe ndodhet në paraburgim. Bazuar sa më sipër, arsyeton prokurori, duhet që gjykata të lejojë ekstradimin e Elezit drejt Italisë.

ARRESTIMI NË KAVAJË
Alban Elezi u arrestua në Kavajë në fund të marsit 2015, pasi dyshohet se ishte pjesë e një celule terroriste që rekrutonte besimtarë myslimanë për xhihad luftarak. Alban Elezi dhe i afërmi i tij, Elvis Elezi, si dhe një i ri Italia me origjinë nga Maroku, u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Balkan Connection”, i cili u ndërmor në Itali dhe Shqipëri.

Sipas burimeve policore, Alban Elezi, nipi i tij dhe 20-vjeçari italian mbanin kontakt si nëpërmjet telefonit, ashtu edhe përmes “Facebook”- ut, me Anas El Abboubi, një luftëtar italian me origjinë nga Maroku, i cili aktualisht ndodhet në Siri. Vetëm pak ditë para se të nisej në Siri, italo-marokeni kishte udhëtuar drejt Shqipërisë ku jetonte një prej ekstremistëve islamikë të dyshuar, të arrestuar nga grupi i antiterrorizmit.

Nga hetimet, ky person rezulton të jetë pikërisht Alban Elezi nga Kavaja. Sipas policisë italiane, gjithçka u zbulua nga gjurmimi i Anas El Abboubi me banim në Breshia, i cili ishte në listën e 65 luftëtarëve që ishin nisur në shtator të 2013-ës nga Italia për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: