TIRANË- Një përplasje me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnate në zonën e Bllokut. Policia njoftoi zyrtarisht se sherri ka ndodhur mes disa të rinjve, ku një 27-vjeçar ka mbetur i dëmtuar me grushte. Një dëshmitar ka dërguar në “BalkanWeb” një video nga vendi i ngjarjes duke rrëfyer edhe si ndodhi ngjarja. Ndonëse policia foli për një të lënduar, ai thotë se janë plagosur dy persona dhe se policia ka mbërritur 10 minuta me vonesë.
“Përballë Sky Tower ka ndodhur një përplasje me armë. Janë plagosur dy veta, kanë qëlluar me armë. Ndërkohë policia po kërkon. Gëzhojat janë shpërndarë, kanë shkelur edhe mbi gjurmët. Mund të kenë qenë 2-3 persona. Policia ka ardhur 10 minuta me vonesë. Ambulanca tani erdhi”, raporton dëshmitari pak minuta pas ngjarjes për “BalkanWeb”.
Sipas policisë, një person ka qëlluar me armë në ajër. Policia ka shoqëruar pas ngjarjes 15 persona si dhe ka arrestuar 27-vjeçarin Erlis Duka për ‘moskallëzim krimi’. Për zbardhjen e plotë, policia ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes.
(m.k/BalkanWeb)
